Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, mendon se është i mundur krijimi i një koalicioni të madh mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. E sa i përket faktit se kush prej dy krerëve të partive lëshoi më shumë, atij nuk i intereson aspak.
“I don’t care” ishte përgjigja e Fleckenstein për gazetaren e “Abc News” kur ajo e pyeti Raportuesin për Shqipërinë në PE lidhur me marrëveshjen Rama-Basha, se cili prej tyre lëshoi më shumë për të qëndruar në pushtet:
“Nuk më intereson fare. Vërtet nuk më intereson. Nëse kryeministri dhe lideri i opozitës gjetën dakordësi për mënyrën se si të zhvillojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe për të gjitha elementet e nevojshme që paraprijnë zgjedhjet, unë jam i kënaqur me këtë. Jam shumë i lumtur, që Mcallister, Lee dhe ndoshta dhe unë kontribuam për këtë rezultat, pro në fund, ishin 2 bosët që vendosën se si do të vijojnë. Ky është një hap pozitiv dhe shpresoj që një dakordësi e tillë të arrihet pa asistencën tonë herën e ardhshme.”
I pyetur më tej, nëse mund të ketë një koalicion mes këtyre dy partive, Knut Fleckenstein tha se për të, koalicionet e mëdha kanë qenë gjithnjë një përjashtim, megjithatë nëse nuk ka alternativë tjetër, mund të ketë një koalicion të tillë.
(XH.A/SHUPLAKA)