Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, i bëri thirrje presidentit Ilir Meta dhe kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, që të punojnë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda fundit të vitit.
“Faleminderit Presidenti Meta dhe kryeparlamentari Ruçi, që e keni bërë të qartë që Shqipëria duhet të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale tani. Jemi dakord. Duke marrë parasysh opinionin e Komisionit të Venecias, këta dy udhëheqës duhet të punojnë urgjentisht me institucionet përkatëse për ta realizuar këtë para fundit të vitit 2020”, shkroi Kim në Twitter.
Jo më larg se dje ishte presidenti Meta ai që i nisi shkresë zyrtare Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe Avokatit të Popullit, qëndrimin zyrtar “Mbi vonesat dhe problematikat në ripërtëritjen dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”.
Në këtë letër Presidenti Meta ka evindentuar problematikat, anomalitë dhe vonesat e pajustifikuara, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit, si dhe marrjen e masave emergjente për bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.