Fustani rozë i Parashqevi Simakut, gjatë interpretimit të këngës “E duam lumturinë” që fitoi çmimin e parë në Festivalin e vitit 1988 njihet nga të gjithë ata, që e jetuan kohën e lulzimit të saj. Kënga ishte e bukur me muzikë të Piro Çakos dhe tekst të Agim Doçit. Nuk munguan as lëvizjet e Parashqevisë në skenë, kori me zë të ëmbël i fëmijëve dhe ai fustan rozë që shkëlqente në skenën uniforme të viteve ’80.
Dje, të ftuar në programin Pasdite në Top Channel, autorët kanë zbuluar historinë e kësaj kënge, që e bën edhe më interesant interpretimin mbresëlënës të këngëtares së bukur nga Kavaja.
Sipas tyre si fillim Parashqevia nuk e kishte pëlqyer orkestrimin e këngës. Ata rrëfyen se ishin vetëm dy ditë larg Festivalit dhe Pirro Çakos iu desh t’ia jepte këngën Gjergj Lekës i cili qëndroi gjithë natën zgjuar për të riorkestruar dhe për ta sjellë në një formë që këngëtares t’i pëlqente.
Ky nuk ishte problemi i vetëm. Vjen kushti i dytë i këngëtares, të cilin do e plotësonte poeti Agim Doçi.
Ai tregoi që Parashqevia i kishte thënë që “vij vetëm po më gjete tafta bojë rozë”. Ai e dinte që prej këtij materiali ishin perdet e Komitetit Qendror dhe siç tregon ai shkoi dhe i vodhi. Ia la pastaj në dorë rrobaqepëses duarartë e cila u skandalizua sepse ua njohu origjinën, megjithatë kërkesa e Parashqevi Simakut u përmbush. Dhe kështu u krijua fustani ikonik. (J.V/Shuplaka)