Kuvendi do të jetë organi që do të hedhë shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ndërsa është vendosur si datë 7 dhjetori.
Ky vendim vjen pas shkresë së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili më 26 nëntor njoftoi se nuk mund ta hidhte shortin për shkak të vakumit ligjor.
Ai shkruante: “Për shkak të vakumit ligjor nuk e hedh dot shortin e KED. Ndërhyni në ligj ose në të kundërt hidheni vetë shortin sipas precedentit të vjetshëm”.
Lajmi për datën e shortit është dhënë me anë të një njoftimi për shtyp nga Kuvendi ku shkruhet:
“Në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d, dhe nenit 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Kryetari i Kuvendit, me Urdhrin Nr.1, datë 3.12.2018, ka vendosur hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datën 7 dhjetor 2018, ora 10:00, në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit.
Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të:
-Avokatit të Popullit;
-përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë;
-përfaqësuesve të grupeve parlamentare;
-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit;
-përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare,
-medias.
Bashkëlidhur Urdhri nr.1, datë 3.12.2018 i Kryetarit të Kuvendit, për datën dhe orën e organizimit të shortit, dhe Urdhri nr. 2, datë 3.12.2018, i Kryetarit të Kuvendit “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (të përkohshëm)”.”
Kujtojmë se Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar dy lista për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ndërsa pas hedhjes së shortit dhe konstituimit të KED, pritet të plotësohen dhe 7 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ky institucion është jashtë funksionit për shkak se gjyqtarët nuk kaluan dot vettingun në drejtësi.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama por edhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës janë shprehur se Kushtetuesja do të jetë në funksion së shpejti.
(B.B/ Faxweb.al)