Teksa opozita akuzoi Ilir Beqajn si “hajduti dy metra” në lidhje me ngërçin ku ka hyrë Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, kryeparlamentarja Elisa Spiropali i kërkoi kolegëve të mos fyenin.
Këtu ka nisur momenti i një debati-replikë mes kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi dhe kryeparlamentares.
Bardhi kërkoi edhe 3 javë shtyrje për Komisionin, duke përsëritur akuzat si hajdut ndaj Beqajt, për të cilin tha se “guxoi të kërcënonte anëtarët e Komisionit, deputetët e opozitës”. Ai shprehu kërkesë edhe për hetimin e këtij rasti, teksa përsëriti thirrjen për shtyrjen e afatit, një javë për planin hetimor dhe dëshmitë, kurse 2 javë për përgatitjen e raportit.
“Sot raporti duhet të vinte në seancë plenare, por ju nuk e lejuat”, tha Bardhi. Kurse Spiropali kujtoi se afati ishte shtyrë 2 herë dhe opozita e kishte zvarritur, duke mos e lejuar dëshmitarin që të fliste. Bardhi tha se Spiropali po shqetësohet se ka hall se “hajduti dy metra është Rama, por jo, e kishim për Ilir Beqajn, jo për kryeministrin”.
Debati i plotë Bardhi-Spiropali:
Gazment Bardhi: S’e kuptova zonja kryetare pse ju vajti mendja te Rama, kur Noka foli për zotin Beqaj si hajduti 2 metra dhe jo për kryeministrin Rama…
Elisa Spiropali: Nuk mund të përdorni foltoren për të nëpërkëmbur dinjitetin e gjithkujt, jo vetëm zotit Beqaj, nuk ka rëndësi i burgosur, i paraburgosur apo çfarëdoqoftë, s’mund të fyhet vend e pavend, ka rregullore. Nuk ka të bëjë me zotin Rama apo me zotin Beqaj, por për këdo.
Gazment Bardhi: Ju s’keni asnjë të drejtë të më ndërhyni në fjalën time. S’e kuptoj kur përmendet hajdut dymetrosh, ju vete mendja te kryeministri, ai e kishte për Ilir Beqajn (i referohet deklaratës së Flamur Nokës)… Kurse për etikën ti zonjë duhet të kesh parasysh se një person i paraburgosur lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit dhe guxonte të futej në sallën e mbledhjeve të Komisionit të posaçëm, i pashqetësuar nga Garda dhe Policia, që ndodheshin për të ruajtur integritetin e deputetëve, të kërcënonte deputetët. Ju duhet të mbani qëndrim për këtë dhe jo për etikën, e të mbroni një person që është kapur dy herë duke vjedhur koncesionet dhe paratë e taksapaguesve evropianë. Ju duhet t’ju shqetësojë se si guxon ky kriminel të futet në ambientet e Kuvendit, ku ata janë në ambiente pune në sallë dhe t’i kërcënojë ata.
Keni vendosur të mos i jepni më kohë komisionit hetimor, edhe pse s’ka mbyllur planin e hetimit, i mohoni opozitës të drejtës për të hetuar. Nuk ka dëshmuar ende një prej përfituesve të koncesionit, që merr paratë e taksave të qytetarëve dhe është objekt i komisionit. Ju duhet të shtoni afatin dhe jo ta mbyllni në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet për komisionet.
Një nga shqetësimet e ngritura në progres-raport ishte ngushtimi i hapësirës së opozitës për komisionet parlamentare. Bëhuni garantë për mbrojtjen e opozitës për ta përfunduar atë hetim. Përtojnë deputetët tuaj për të punuar, detyra është përfundimi i hetimit. Rishikimi i atij vendimi, të shikohet sipas rregullores edhe rasti i kërcënimit të deputetëve të kuvendit nga një i arrestuar dhe lejoni komisionin hetimor.
Elisa Spiropali: Kërkesa që ka ardhur i është paraqitur konferencës së kryetarëve dje. Ndihem në faj që e kam çuar atë kërkesë pa vendim të ndërmjetëm, e kam çuar te Konferenca, po për shkak të debatit dhe rëndësisë e kam çuar. Keni marrë pjesë është diskutuar dhe është marrë vendim. Komisioni është shtyrë dy herë dhe duhet të bëjë detyrën dhe jo të shpërdorojë detyrën. Në bazë të ligjit duhet të kishte vendim të ndërmjetëm për t’ia paraqitur Konferencës, megjithatë u paraqit dhe është caktuar të mbyllej hetimi sipas kohës së vendosur. Për atë se kush është kriminel e cakton gjykata dhe prokuroria. Ai që vjen në Komision për të dëshmuar duhet lejuar të dëshmojë. Sa për pretendimin e kërcënimit Garda ka respektuar Rregulloren, do shihen pamjet e kamerave dhe s’mund të jap koment për këtë dhe do vijë kërkesa me shkrim.
Gazment Bardhi: Lejojeni dispozitën dhe rregullin, s’ka asnjë dispozitë e rregull për vendim të ndërmjetëm. Afati i Komisionit është kompetencë ekskluzive e propozuesit dhe më tej Konferenca e Kryetarëve që përcakton kohëzgjatjen e Komisionit. S’ka rëndësi kush sjell çështjen, por nëse Komisioni e ka përfunduar punën e tij apo jo. Komisioni se ka përfunduar ende planin e tij të punës dhe për sa kohë s’ka përfunduar, nuk mund të ndërpritet aktiviteti hetimor. Afati ka mbaruar dje dhe ju s’i dhatë kohë Komisionit për raportin përfundimtar që t’i paraqitej seancës parlamentare. E keni vrarë Komisionin, s’e keni lejuar opozitën të bëjë punën e saj. Sot duhej të diskutohej raporti përfundimtar i Komisionit, ndaj vendimmarrja juaj është kundër ligjit, Kushtetutës dhe rregullave të Komisionit parlamentar. Mblidhni konferencën dhe zgjasni afatin e Komisionit, t’i japim edhe dy javë për raportin e një javë për hetimin, total 3 javë e të biem dakord, e të mos pengojmë punën e komisionit.
Beqaj s’e ka vullnetare ardhjen dhe përgjigjen në Komision, e ka detyrim ligjor. Ajo që ka ndodhur është se Beqaj do e japë dëshminë sipas rregullave që cakton vetë ai nga qelia, por Komisioni funksionon sipas ligjit, rregullores dhe procedurës. Të jetë në përputhje me ligjin jo sipas rregullave që cakton Ilir Beqaj, do flasi sipas rregullave të funksionimit të Kuvendit. Ai mund të ketë me vete edhe një tank me tytën drejtuar deputetëve të opozitës për t’i intimiduar, por për të dëshmuar. Nuk mund të shkosh me projektor për të dëshmuar, nuk merr pauer point e makina me letra me vete, por i nënshtrohesh procedurës, e jo rregullave që cakton ti vetë. Lejoni vijimin dhe zgjatjen e afatit me 3 javë të Komisionit Hetimor, krejt e arsyeshme për raportin, që të respektojmë Kushtetutën e republikës.
Elisa Spiropali: Duhet të respektohet rregullorja e Kuvendit, s’mund të kalohet në fyerje, ju lutem! Gjykata dhe Prokuroria caktojnë nëse një person është ajo jo fajtor dhe hajdut…