Pas disa ditësh diskutime në Komisionet Parlamentare, buxheti i shtetit për vitit e ardhshëm do të debatohet dhe miratohet në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Për menaxhimin e rreth 8 miliardë eurove, do të zhvillohet një seancë maratonë dy ditore, ku diskutimet në parim do të nisin sot (18 nëntor) në orën 10:00 dhe votimi pritet të zhvillohet të martën vonë. Ky buxhet i cili vazhdon tendencën rritëse nga viti në vit, është më i madhi ndonjëherë, do të përdoret kryesisht për vijimin e reformave, dhe financimin e kantiereve të hapura aktualisht.
Nuk parashikohet rritje pagash dhe nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh gjatë vitit 2025.
Në tërësi, ky buxhet nuk karakterizohet nga shtimi i financimit për mbrojtjen sociale apo ndihmesën e shtresave në nevojë. Por paketa garanton vijimin e përfitimeve të deritanishme për kategoritë më të varfër. Sa u takon investimeve, buxheti 2025 ju dedikohet më shumë projekteve që janë në ndërtim e sipër, si Rruga Tiranë-Durrës, Elbasan-Qafë Thanë, apo Ndroq Plepa. Do të financohen koncesionet që janë aktive dhe do të përballohet borxhi publik.
Kuvendi pritet ta votojë buxhetin në parim në fund të ditës së martë, fashë në të cilën, opozita ka thirrur një protestë përpara Parlamentit. Sali Berisha ju ka kërkuar mbështetësve të pengojnë miratimin e këtij akti, që e quan “buxheti i vjedhjeve”. Opozita nuk e ka bojkotuar në debatet në Komisione, ndryshe nga disa vite më parë.