Të gjithë deputetët e legjislaturës që sapo u mbyll duhet të kthejnë laptopët. Edhe pse me pushime, ky ka qenë email-i që ata kanë marrë nga zyra e Kuvendit.
“Të nderuar deputetë, na lejoni që të sjellim në vëmendjen tuaj se gjatë legjislaturës së VIII-të, ju jeni pajisur me laptop nga Kuvendi i SHqipërisë, për të cilin keni firmosur kartelën përkatëse të marrjes në dorëzim pranë shërbimit të Financës së Kuvendit.
Për sa më sipër, lutemi në mirëkuptimin tuaj, për dorëzimin e tyre pranë shërbimit të financës, duke qenë se përfunduan punimet e legjislaturës së 8-të” -thuhet në email-in e Kuvendit për deputetët, publikuar nga ”ReportTv”.
Historia e pajisjes së deputetëve me pajisje teknologjike është kthyer disa herë në një arenë debati. Në muajt e fundit të detyrës së ssaj si kryeparlamentare, Jozefina Topalli iu vendosi në seancën plenare deputetëve nga një kompjuter, i cili u refuzua edhe nga vetë ligjvënësit.
Ata u ankuan se kompjuterët mbi tavolinë i pengonin të ndiqnin folësin në seancë, dhe se ishin të shqetësuar që ekrani i madh mund të monitorohej qoftë nga kolegët pas tyre, qoftë nga kamerat e televizioneve që në seancë rrinë në llozhën mbi sallën e seancave.
Në këto kushte kur deptuetët ndiheshin jo komodë dhe pretendonin se ju cenohej privatësia, ndër gjërat e para që Meta bëri në krye të parlamentit, ishte heqja e këtyre kompjuterave, dhe pajisja e cdo deputeti me një laptop.
Tani është koha që ligjvënësit edhe laptopët t’i dorëzojnë, dhe deputetët e rinj të presin vendimin e kryeparlamentarit të ri, për tu rikthyer sërish tek kompjuterët, për të marrë laptopë, apo për të avancuar në pajisje teknologjike brenda sallës së kuvendit, ku mund të aksesojnë online dokumentet parlamentare.