Lulzim Basha mbledh Kryesinë e Partisë Demokratike. Një ditë pas Kuvendit Kombëtar, kryedemokrati ka thirrur mbledhjen e Kryesisë në orën 20:00.
Gazetarja Jonida Omeri bën me dije për FaxNews se mbledhja do të jetë me dyer të mbyllura.
Të pranishëm në mbledhje janë: Lulzim Basha, Arbi Agalliu, Mirela Karabina, Taulant Zeneli, Endri Hasa, Kreshnik Collaku, Roland Bejko, Gentian Gaba, Fitim Zekthi, Indrit Sefa, Gazmend Koduzi, Xhemal Gjunkshi, Taulanda Jupi, Orjola Pampuri, Agron Kapllanaj (I pranishëm online), Jemin Gjana (I pranishëm online), Merita Bakiu (E pranishme online), Enkelejd Alibeaj (I pranishëm online), Flutura Açka (E pranishme online).
Kryedemokrati në një postim në Facebook është shprehur mbi arsyet dhe funksionet e PD-së, ku thekson se qëllimi është t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë një alternativë për zgjidhjen e problemeve, një udhërrëfyes në rrugën e re.
Basha: Arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që t’ju shërbejmë njerëzve, jo vetes tonë! Qëllimi i ekzistencës sonë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre.
Ky do të jetë udhërrëfyesi në rrugën e re që nisim së bashku.
#NdërtojmëTëArdhmen
Kryesia e PD është institucioni që mban rolin ekzekutiv në Partinë Demokratike.
Kryesia ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar. Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike.
Në Kuvend Basha deklaroi se PD do t’i sigurojë një mbështetje të plotë SPAK-ut për të ndëshkuar korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Kuvendi vjen si një përpjekje për riorganizimin e Partisë Demokratike.
Vetë kryedemokrati, i rizgjedhur më 29 korrik, u bë Kreu i Grupit Parlamentar duke zëvendësuar Gazment Bardhin, pas miratimit të Nenit 48. As logoja e njohur e këtyre viteve nuk do të jetë më, pasi Kuvendi riktheu atë të vitit 1990.
Në Kuvendit të 2 shtatorit, Partia Demokratike ka miratuar një listë re të anëtarëve të Këshillit Kombëtar e përbërë nga 328 anëtarë.
Anëtarët e Këshillit do të jenë dy anëtarë Kryesie në detyrë, 30 deputetë dhe 68 Anëtarë të kolegjit të kryetarëve në detyrë dhe vetë kryedemokrati Lulzim Basha.
Në anën tjetër, ish-kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi u ka bërë thirrje deputetëve të marrin pjesë në një takim në datën 5 në Hotel Tirana në orën 12:00.
Sipas deklaratës së tij, ky është një veprim për të mbajtur opozitën të fortë dhe të unifikuar përball atij që e quan “regjimi i Edi Ramës”.
Bardhi duke e cilësuar veten ende si Kryetar i Grupit Parlamentar, tregon se lufta e Brendshme në PD e ka dobësuar opozitën duke i dhënë avantazhe Kryeministrin Rama.
DEKLARATA E PLOTË E GAZMENT BARDHIT: Gjatë gjithë kësaj kohe dhe veçanërisht në këtë periudhë të thellimit të keqqeverisjes, kam analizuar me përgjegjësi maksimale situatën në vend dhe nevojën që ka Shqipëria për një opozitë të fortë, të unifikuar dhe plotësisht funksionale.
Opozita shqiptare ka përballë një qeverisje të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ka minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes metodave të kundërligjshme. Për këtë shkak, interesi publik dhe mbrojtja e interesit të qytetarëve, kërkon që çdo opozitar të përqëndrojë energjitë e tij vetëm në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur në këto 2 vitet e fundit. Lufta e brendshme në Partinë Demokratike e ka dobësuar opozitën dhe shpesh e ka shfokusuar nga misioni i saj, duke i krijuar një komoditet të pashoq e tërësisht të pamerituar Edi Ramës në mandatin e tij të 3 radhazi, ku sundon keqqeverisja, arroganca dhe korrupsioni. Kjo situatë dikton nevojën që, në mënyrë urgjente, secili prej nesh, deputetëve të opozitës, të tejkalojë vetveten për të ofruar dhe për të gjetur zgjidhje në interes të përbashkët të të gjithë opozitarëve dhe çdo qytetari që kërkon ndryshimin e qeverisjes.
Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të na shfokusojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj vendit dhe qytetarëve. Kam bindjen e plotë se çështjet që na bëjnë bashkë janë më shumë se çështjet që na ndajnë.
Duke ruajtur dhe respektuar qëndrimin apo mendimet individuale të çdo deputeti për zhvillimet apo debatin e brendshëm në Partinë Demokratike dhe në kampin opozitar, ndaj bindjen me shumicën e kolegëve që kjo nuk duhet të na pengojë për t’u bashkuar dhe për të unifikuar qëndrimin dhe aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës.
Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, në nisje të këtij sesioni parlamentar, do të ndërmarr nismën për thirrjen ditën e martë, datë 5 Shtator 2023, të një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve të koalicionit “PD-AN”, pa asnjë përjashtim. Duke besuar se shqetësimi për nevojën urgjente të unifikimit të opozitës bashkëndahet nga çdo deputet që ndien përgjegjësinë për një përballje të unifikuar kundër Edi Ramës, mirëpres pranimin e kësaj thirrje të sinqertë, me qëllimin e mirë të përcaktimit të axhendës dhe strategjisë së përbashkët të të gjithë PD dhe të gjithë opozitës parlamentare.
(Xh.H/FaxWeb.al)