Senaca plenare e Kuvendit ka zgjatur deri në orën 02:00 të 16 korrikut. Në këtë seancë maratonë, institucionet më të rëndësishme të drejtësisë raportuan para ligjvënësve raportet për vitin 2023.
Më pas seanca ka vijuar me diskutime për javën e gjelbër, por orët e vona duket se kanë lodhur deputetët të cilët kanë braktisur seancën. I fundit që mban fjalën në foltoren e Kuvendit është deputeti Bujar Leskaj, ndërsa salla është bosh.
Në pamje evidentohen të paktën edhe tre deputetë të tjerë të opozitës. Ndërkohë, në fund të seancës një moment dallohet teksa kryeparlamenatrja Lindita Nikolla ‘shkrihet’ së qeshur me deputetin e PD, Dash Sula. Nuk dihet se çfarë tha ky i fundit që shkaktoi të qeshura mes tyre.
Çfarë ndodhi në seancën maratonë të Kuvendit, nga ora 10:00-02:00
Kuvendi, shqyrtoi Raportet e pesë institucioneve të Drejtësisë. Përkatësisht:
Raporti i veprimtarisë vjetore të Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2023;
Raporti i veprimtarisë vjetore të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) per vitin 2023;
Raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vitin 2023; Raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023;
Raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2023.
Raporti i veprimtarisë vjetore të Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2023 u paraqit nga Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela.
Çela theksoi se përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme, deri në 38 përqind të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). “Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian.”, tha z. Çela.
Në paraqitje të Raportit të SPAK, Kreu i këtij institucioni, z. Altin Dumani, u shpreh se Shqipëria vazhdon të ketë një nivel të mirë bashkëpunimi me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in dhe ka marrë pjesë në një sërë operacionesh ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. “Është bërë progres në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar, i cili duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.”, vuri në dukje z. Altin Dumani.
Raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD), u paraqit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, i cili nënvizoi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka luajtur një rol proaktiv në lidhje me identifikimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore të kryera nga ana e magjistratëve.
Metani, theksoi se ky model pune do të vijojë edhe në vazhdim, duke respektuar parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe mbështetur mbi një gur themeli të rëndësishëm të shtetit të së drejtës dhe demokracisë së një vendi, pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Raporti i veprimtarisë vjetore të Keshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023 u paraqit nga Naureda Llagami, e cila u shpreh se KLGJ në menaxhimin e burimeve njerëzore ka treguar shumë efektivitet sepse ka ndërmarrë hapa strategjikë dhe hapi fundit që kemi marrë së bashku me partnerët tanë, ku i kemi bërë ftesë qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit, është backlog-u (çështje të prapambetura).
“Sot kemi miratuar një strategji për backlog-u, që është një set masash administrative, infrastrukturore dhe ligjore, që kërkon të bëhemi të gjithë bashkë për të miratuar masat që t’i garantojmë qytetarit shërbimin e merituar.”, theksoi Llagami.
Raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë u paraqit nga kryetarja e KLP, Mirela Bogdani.
Pas diskutimit të raporteve, seanca plenare vazhdoi me diskutimet e “Javës së Gjelbër”, kushtuar çështjeve të evidentuara gjatë takimeve të deputetëve me zgjedhësit, në zonat e tyre zgjedhore.
Diskutimet u përqendruan tek shqetësimet e ngritura nga deputetët, të cilët sollën në vëmendje problematika të evidentuara nga takimet me zonat e tyre elektorale.