Me 76 vota pro Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e sotme buxhetin për vitin 2019 dhe paketën fiskale. Opozita sërish ishte pjesë e seancën plenare, ndonëse maxhoranca i bëri thirrje që të jetë e pranishme.
Seanca e sotme plenare u përfshi në debate mes deputeti Erion Braçe dhe Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
Debati më i fortë ishte për fashën e tatimit mbi të ardhurat. Kuvendi rrëzoi propozimin e Erjon Braçes për heqjen e tatimit mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Aktualisht për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi është zero, ndërsa Braçe kërkoi që fasha të bëhej deri në 40 mijë lekë, por është rrëzuar. Ndërkohë që u rrëzuan edhe amendamentet për heqjen e TVSH-së për të gjithë librashitësit dhe ndërtesat në pronësi të OJF-ve. Një tjetër pikë që ngjalli debat ishte edhe propozimi për rritjen nga 15-30% të taksës për bixhozin të hotelet me 5 Yje, që u rrëzua.
Gjithashtu Ahmetaj rrëzoi edhe propozimin e Braçes për rentën minerare, ndërsa u pranuan propozimet për akcizën dhe tarifat doganore. Referuar propozimit të tarifës doganore, Braçe tha se binte ndesh me MSA-në që të mos ishte më shumë se 5% dhe Ahmetaj e pranoi. Rrëzimet e shumicës së amendamenteve sollën irritimin e Braçes që tërhoqi dy të fundit duke u shprehur me ironi “jam shumë i lumtur me çfarë tha ministri. I tërheq të gjitha”.
Amendamentet e Braçes të rrëzuar nga maxhoranca në Kuvend.
-Mosndryshim i taksës minerare..
-Rritje e taksës për lojërat e fatit nga 15% ne 30%.
– Zerim të taksës për shitjen e librave
-Rritje e fashës së pagës qe nuk tatohet nga 30 mijë lekë në 40 mije lekë
-Taksa e ndërtesës për Organizatat e personave me aftësi ndryshe të jetë zero.
Projektligjet e miratuara
Mësohet se në rendin e ditës së seancës së sotme plenare ishte po ashtu edhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar. Në seancën e sotme plenare pritet edhe miratimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare ndër të cilat projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar”.
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në amendamentin e Kigalit të protokollit të Montrealit, “Për substancat që hollojnë shtresën e ozonit””, si dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – Republika e Shqipërisë, 2014-2020, alokimet e vitit 2017”.
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë”, ndërsa pritet edhe miratimi i projektligjeve të mbartura si ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar””.
(B.H/Faxweb)