Kuvendi i Shqipërisë pritet që të nisë punimet për këtë vit më 19 janar, shoqëruar me një axhendë intensive që do të karakterizojë sesionin parlamentar zgjedhor.
Në pritje të nisjes së punimeve të Kuvendit, 20 institucione të pavarura pritet që të raportojnë tek kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Këto institucione do të raportojnë veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2016-të.
Ato do të japin llogari për shpenzimet financiare, realizimin e objektivave si dhe do të bëjnë publike gjetjet e shkeljeve, apo konstatimet pozitive a negative gjatë vitit të kaluar.
Referuar draft-kalendarit paraprak të siguruar nga “Shqiptarja.com” mësohet se Autoriteti i Konkurrencës do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë brenda muajit Mars, ndërsa raportin duhet ta dorëzojë në Kuvend deri më 26 shkurt.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit do të duhet të raportojë në Komisionin e Ligjeve deri në 30 prill, ndërsa raporti duhet dorëzuar deri më 26 shkurt.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të raportojë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese brenda prillit, teksa raportin duhet ta dorëzojnë deri në 18 prill.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë në 31 mars, ndërsa raportin duhet ta ketë dorëzuar deri në 26 shkurt.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të raportojë në Komisionin e Ekonomisë brenda muajit prill, teksa afati i fundit për dorëzimin e raportit është 18 prilli.
Enti Rregullator i Energjisë duhet të raportojë tek Veprimtaria Prodhuese në 31 Mars,dhe raportin duhet ta dërgojë në 26 shkurt. Komisionin i Shërbimit Civil duhet të raportojë tek Ligjet brenda marsit, ndërsa raportin duhet ta dërgojë në 26 shkurt.
KQZ do të raportojë në Komisionin e Ligjeve në fund të shkurtit, ndërsa raporti duhet dorëzuar deri në 26 shkurt.
Këshilli Drejtues i RTSH-së do të raportojë tek Komisioni i Medias deri në fund të marsit, kurse raporti dorëzohet brenda 26 shkurtit.
AMA raporton tek Komisioni i Medias në një afat të papërcaktuar, por raportin duhet ta dorëzojë jo më vonë se 26 shkurti.
KLSH do të raportojë në Komisionin e Ekonomisë brenda marsit, teksa raportin duhet ta dorëzojë deri në 7 mars.
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale mësohet se do të raportojë brenda Marsit, ndërsa raportin duhet ta dorëzojë deri në 26 shkurt.
Nga ana tjetër, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi s’ka afat për raportimin tek Komisioni i Ligjeve, kurse raportin duhet ta dorëzojë brenda 26 shkurtit në Kuvend.
ILDKP do të raportojë tek Ligjet deri në 31 maj, ndërsa raportin duhet ta dorëzojë deri në 10 prill.
Banka e Shqipërisë dhe Prokurori i Përgjithshëm që do të raportojë tek Ligjet, duhet të raportojnë brenda muajit Mars.
Ministria e Drejtësisë do të raportojë për inspektimet në prokurori në mars-prill, e po ashtu edhe Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit.
Nga ana tjetër, Enti i Ujërave raporton në fund të muajit Janar.