Sesioni aktual parlamentar ka nisur në javën e dytë të muajit janar dhe vijon deri në fillim të muajit maj 2017.
Gjatë periudhës 10 janar – 20 shkurt 2017 parlamenti funksionoi në rrethana optimale, përmes debatit politik parlamentar midis mazhorancës dhe opozitës, dhe praktikave normale të vendimmarrjes. Pas 20 shkurtit dhe deri në fundin e muajit mars 2017 parlamenti ka vijuar funksionin pa praninë e opozitës, por duke pasur bilanc më modest rezultatesh sesa në periudhën e prezencës së opozitës.
Referuar të dhënave zyrtare, Kuvendi gjatë periudhës 1 janar – 31 maj 2017 ka miratuar 57 akte parlamentare në prezencën e opozitës në parlament dhe 125 akte parlamentare pa praninë e saj. Në total dominuese kanë qenë aktet rutinore parlamentare, siç janë vendimet (81) dhe ratifikimet (43). Amendimet ligjore vijnë në radhë për tu ndjekur më pas nga ligjet dhe rezolutat parlamentare.
Referuar në terma konkretë, janë miratuar vetëm 13 ligje, nga të cilat, 5 në prani të opozitës dhe 8 pa praninë e saj parlamentare; 37 vendime në prezencë të opozitës dhe 44 pa praninë e saj, 9 amendime ligjore në prani të opozitës dhe 24 pa praninë e saj, 12 rezoluta pa praninë e opozitës dhe asnjë në praninë e saj, si dhe 37 ratifikime pa praninë e opozitës ndaj 6 ratifikimeve me praninë e saj.
Duke marrë parasysh faktin se vetëm në një ditë (22 maj) janë miratuar 27 akte parlamentare konsensuale, nga të cilat 24 vendime dhe 3 amendime ligjore, atëherë rezulton se produkti parlamentar mesatar gjatë periudhës tjetër të punimeve ka qenë minimal.
Në total në numrin e ligjeve të reja nuk bëjnë pjesë asnjë prej ligjeve thelbësore mbi të cilën do të mund të ngrihej një reformë strukturore apo funksionale.
Shumica janë ligje dytësore, për problematika sociale, si p.sh, ligji për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e ri-novueshme, ligji për administrimin e ujitjes dhe kullimit, ligji për të drejtat e fëmijëve, ligji për statusin e punonjësve të naftës e gazit, ligji për sigurinë kibernetike, ligji për sportin dhe ligji për produktet kozmetike.
Vendimet e marra në vetem dy seanca, 30 mars dhe 22 maj, përbëjnë numër shumë më të madh ligjesh dhe aktesh të rëndësishme ligjore sesa për një periudhë tre mujore së bashku.
Kontraste të tilla shpjegohen me emergjencën dhe presionin pozitiv ndërkombëtar për miratimin e ligjeve në mars për reformën në drejtësi, si dhe me rastet e kompromiseve të mëdha politike. Të dy këto tipare nxjerrin në pah mungesën e një strategjie të qëndrueshme të punës së Kuvendit dhe ndryshimin e axhendës parlamentare në varësi nga zhvillimet politike afatshkurtra të ditës politike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e fondacionit gjerman Friedrich-Ebert- Stiftung (FES) realizoi monitorimin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.
Monitorimi bazohet në dy elementë thelbësorë: sa përfaqësues është parlamenti në raport me qytetarët zgjedhës, dhe nivelin e zbatimit të legjislacionit që rregullon punën e Kuvendit, deputetëve, të drejtat dhe detyrimet e tyre. Monitorimi është aktiv, përfshin punën në seanca plenare dhe në komisione, aktivitetin publik parlamentar, zhvillimet më të rëndësishme politike që lidhen me parlamentin, si dhe tregues krahasimor mbi bilancin e punës së tij gjatë 2017 dhe viteve të mëparshme./ Vota.al