Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.
“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë” – ka thënë Hashim Thaçi.
“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova zbatoi sot ligjet e veta dhe ushtroi sovranitetin e plotë kur arrestoi në Mitrovicë drejtorin për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë serbe, Marko Gjuriç
Veselit tha se Serbia duhet të kuptojë se ‘ky vend ka zot shtëpie’.
“Zyrtarët serbe duhet të kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoriteteve kosovare.”
“Shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë. Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie. Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt. Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare. Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi.” – reagoi kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.
(E.L/Faxweb)