Ish-zv/kryeministri Niko Peleshi, kandidat për deputet i PS-së në Korçë, ka reaguar sërish së fundmi lidhur me marrëveshjen e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha më 18 maj bazuar në paketën “McAllister+”.
Ai u shpreh se si rezultat i përpjekjeve të PS-së dhe ndërkombëtarëve, PD do të jetë pjesë e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Duke sjellë ndërmend protestën e opozitës, drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Korçës, ai e konsideroi këtë marrëveshje si arritje që bëri realitet Vettingun dhe hapi fushën e lojës mes dy kundërshtarëve.
“E theksoj që na duhen 71 mandate në këto zgjedhje, na duhen sepse duam një pushtet të pakufishëm. Madje po të më pyesni se kush është ndryshimi i madh sipas meje ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike është se ne pushtetin e përdorim për të bërë punë, ndërsa ata të tjerët çdo punë e bënin për marrë dhe për të mbajtur pushtetin.
Kemi arritur një sukses, akoma nuk është bërë i prekshëm, por do ta ndjejmë në javët që pasojnë. Ky është Vettingu. Ka qenë një këmbëngulje heroike do të thoja unë e kryeministrit Edi Rama, e Partisë Socialiste, e faktorit ndërkombëtar, e partnerit ndërkombëtar, të cilët nuk u tërhoqën. Ne nuk u tërhoqëm, as përballë çadrës, bllokimit 3 muaj të bulevardit, të zemrës së kryeqytetit, as përballë presionit të mosbindjes civile. I mbani mend ato thirrjet për thyerje xhamash, mosrespektimit të institucioneve, as para presionit për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Marrëveshja ishte një gjest emancipues dhe shumë qytetar, i Edi Ramës dhe i Partisë Socialiste. Sepse ne treguam se më shumë sesa pushteti, ne na vlen demokracia. Më shumë se sa gëzoheshim për të shkuar vetë në zgjedhje e të merrnim 120 deputetë, ne na intereson që në garë të mundim kundërshtarin kur është në fushë, jo kur është në stol.
Të gjitha këto që mund të duken lëshime, dikush mund të thotë e keni tepruar, dikush mund të thotë “I keni dhënë shumë Lulzim Bashës, Partisë Demokratike”, por në fakt fituam një gjë të madhe… e bindëm Partinë Demokratike, nga qejfi apo nga halli, të shkonin në parlament dhe të votojë Vettingun.
Votimi i Vettingut do të thotë që tani mund të flasim realisht për reform në drejtësi. Siç fituam betejën e Vettingut, e drejtësisë, do të fitojmë edhe betejat e tjera, edhe punësimin edhe mirëqënien që ende nuk është arritur dhe nuk është e kënaqshme. Për këtë na duhet mbështetja juaj më 25 qershor.”, u shpreh Peleshi.
(XH.A/SHUPLAKA)