Trafikimi i drogës nga Shqipëria është rikthyer në vëmendjen e mediave italiane. “La Repubblica” shkruan sot se janë shqiptarët ata që zotërojnë trafikun e drogës dhe armëve drejt Italisë.
“Një herë e një kohë ishin vetëm cigaret, ndërsa sot është kanabisi, emigrantët, armët dhe eksplozivi. Të gjitha këto kalojnë nëpërmjet rajonit të Pulias në 80 kilometra vijë bregdetare, e cila është zgjedhur nga krimi shqiptar për trafiqet e paligjshme”, shkruan gazeta italiane.
Sipas saj shqiptarët zotërojnë rrugën ballkanike të trafikut të drogës, armëve dhe emigrantëve drejt vendit. “Në kanalin e “Otrantos” nuk lëviz asgjë pa pëlqimin e grupeve kriminale shqiptare. Ata janë të fokusuar në trafikun e drogës dhe armëve i cili është më i thjeshtë për u menaxhuar. Ndërsa trafiku i emigranteve iu është lënë në dorë jorastësisht grupeve kriminale turke. Për të transportuar drogën, armët dhe eksplozivin shqiptaret përdorin gomone dhe avionë të vegjël” thuhet me tej në shkrim.
“Bregdeti i Pulias është zgjedhur jorastësisht nga trafikantët shqiptarë. Plazhet më rërë bëjnë që gomonet dhe avionët ta kenë më të lehtë qëndrimin. Në këtë rajon ka mjaft shtëpi të pabanuara për të fshehur mallin. Ndërsa pyjet e dendura janë vendet më të mira për të fshehur makinat të cilat ngarkohen për ta dërguar drogën drejt veriut të Italisë”, thuhet në shkrim.(J.V/Shuplaka)