Është kërcënuar me sms në telefon avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe. Rasti është bërë i ditur nga vetë avokati, i cili e ka referuar denoncimin e tij në Policinë e Tiranës.
Meçe është avokati i Shullazit që prej vitit 2016, ndërkohë që ndaj klientit të tij së fundi është shtuar akuza dhe për vrasjet e ndodhura në Shkurt të 2005-ës, Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.
Kërcënimi ka ndodhur me ane të një mesazhi në platformën e komunikimit Whatsupp, ndërsa dikush i ka shkruar se: “Hiq dorë sa nuk është vonë”.
Meçe ka qenë shumë aktiv në media muajt e fundit, veçanërisht pas izolimit të Shullazit në regjimin 41-bis, të cilin avokati e ka quajtur të paligjshëm.
Meçe për të kundërshtuar këtë vendim i nisi dhe një letër krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, pasi sipas tij ndaj Shullazit nuk ka ende një vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Apelit.
(E.K/Faxweb.al)