Ish-kreu i Bashksië Vorë Agim Kajmaku është arrestuar nga policia. Kajmaku ndodhet në Drejtorinë e Policisë në Tiranës, në pritje të përballjes së mëtejshme me drejtësinë. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se Agim Kajmaku u ndalua në një spital në Tiranë, pasi ishte paraqitur atje në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mjekët e spitalit privat kanë njoftuar policinë, e cila ka bërë më pas arrestimin e ish-kreut të bashkisë, i cili ishte shpallur në kërkim prej Nëntorit të vitit të kaluar. Kajmaku akuzohet për “falsifikim i vulave dhe formularëve”, “falsifikim i dokumentave zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies së tij”, dhe prej muajsh ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë.
Po ashtu ndaj tij rëndon edhe akuza e ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të tyre, pasi ditën e fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin, ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë.
Në të njëjtën ditë, në vend të tyre ai emëroi nënkryetar Gentian Picari. Akuza e tretë është ajo e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.
Kajmaku ishte në kërkim që prej muajit nëntor, për emërime të paligjshme, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Ish-kryebashkiaku socialist nuk deklaroi dënimin e tij në Greqi kur kandidoi në zgjedhjet vendore të qershorit 2019.
(M.Q/Faxweb.al)