Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka ftuar anëtarët e Këshillit Politik në një mbledhje përgjatë ditës së hënë ose të martën, ku i pranishëm do të jetë edhe Rama. Gjiknuri fton opozitën jashtë parlamentare që të përfaqësohet në këtë takim dhe nga krerët e saj politik, pra Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Në mbledhjen e Këshillit Politik pritet të diskutohen edhe ndryshimet Kushtetuese, ndërsa më herët edhe koalicioni opozitar ishte shprehur pro një takimi të Këshillit Politik, ndërsa i pari që shtriu dorën e bashkëpunimit ishte kryeministri Edi Rama.
Ftesa e Ramës ishte dhe më e gjerë, pasi ai hidhte idenë që në mbledhjen e Këshillit Politik të ishte edhe presidenti Ilir Meta. Tërheqja e Ramës, që betohej e stërbetohej se parlamenti sovran do të kryente ndryshimet Kushtetuese, duket se lidhet pikërisht me deklaratat e fuqishme të bëra nga ndërkombëtarët, që kërkojnë kalimin e marrëveshjes së 5 Qershorit, pa u ndryshuar.
Email-i i Gjknurit: Të nderuar kolegë, sikurse jeni në dijeni, përmes Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka filluar shqyrtimin e projektligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor, dokument i depozituar nga një grup deputetësh të maxhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në tryezën e Këshillit Politik.
Gjithashtu, paralelisht përmes Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare të cilët propozojnë ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që lidhen me hapjen e listave zgjedhore dhe vendosjen e një pragu kombëtar.
Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj:
Mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë.
Vendi i zhvillimit të tryezës propozoj të mbetet i njëjti në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Në pritje të përgjigjes suaj, faleminderit Damian Gjiknuri.
DEKLARATË E KOALICIONIT OPOZITAR: Opozita e Bashkuar rikonfirmon se i qëndron marrëveshjes së 5 Qershorit dhe apelit të përsëritur të partnerëve strategjikë për miratimin e saj sa më parë në Kuvend, pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme. Ndryshimet kushtetuese, të hartuara në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste, jashtë Këshillit Politik dhe pas Dakordësisë së 5 Qershorit, prishin marrëveshjen e arritur mes palëve.
Këto ndryshime kushtetuese të njënashme bien ndesh edhe me traditën 30 vjeçare të miratimit të rregullave elektorale, që janë bërë gjithmonë me gjithëpërfshirje dhe konsensus, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve tek zgjedhjet dhe forcimin e demokracisë pluraliste.
Miratimi i Reformës Zgjedhore, gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, është edhe kërkesë e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave. Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet seriozisht dhe në mirëbesim e angazhuar në përmbushjen e këtij objektivi madhor për vendin dhe ka dhënë kontribut real në përmbushjen e këtij kushti. Kjo arritje e përbashkët nuk duhet të zhbëhet nga interesat e ngushta politike. Marrëveshja politike e 14 Janarit dhe Dakordësia e 5 Qershorit të arritura me ndihmën e partnerëve strategjikë SHBA dhe BE duhen respektuar plotësisht dhe pa ndryshime nga të gjitha palët.
Sipas këtyre marrëveshjeve, çështjet e dakordësuara në 5 Qershor duhet të aprovohen pa asnjë ndryshim dhe pa vonesa të mëtejshme për të mundësuar zbatimin e dispozitave të reja zgjedhore, duke përfshirë ngritjen e KQZ së re dhe fillimin nga puna për zbatimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve. Për pasojë, çdo diskutim tjetër, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit, si dhe duhet të jetë në përputhje me Rekomandimet dhe praktikat më të mira të OSBE dhe Komisionit të Venecias.
Rikonfirmojmë qëndrimin tonë se nëse Partia Socialiste është vërtetë e interesuar për të diskutuar mbi çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik.
Për vijimin e punës në Këshillin Politik palët kanë dakordësuar edhe në pikën 11 të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Opozita e Bashkuar shpreh gatishmërinë të vazhdojë diskutimin dhe punën në Këshillin Politik për çdo temë dhe çështje që lidhet me zgjedhjet, duke nisur nga sot, por pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime, sa më parë të dakordësisë së 5 Qershorit.
Çfarë deklaroi Rama: PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë,ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!
PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë!
(E.K/Faxweb.al)