Është votuar në mënyrë unanime nga KLP, me 9 vota pro Aida Hajna në krye të BKH-së. Në këtë mënyrë, Hajna bëhet e para drejtuese e FBI-së shqiptare, që do të marrë në dorë hetimin e zyrtarëve të lartë.
Hajna ishte i vetëm emër që SPAK i çoi KLP-së, pas një procesi përzgjedhjesh e diskutimesh që zgjatën për disa muaj me radhë.
Sipas SPAK-ut kandidatët e tjerë për kreun e “FBI-së” shqiptare; Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj nuk i kanë plotësuar kriteret.
Personi në krye të BKH-së do të drejtojë ekipet e hetuesve, pasi të jenë zgjedhur për këtë mision. Atyre do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat përgjatë gjithë kohës, për t’u siguruar se do e zbatojnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.
Zgjedhja e kreut të BKH-së kaloi nëpërmjet një procesi ku u përdor edhe makina e të vërtetës dhe gara të tjera fizike dhe mendore, proces ky që u monitorua nga amerikanët dhe partnerët europianë.
BKH është një institucion, i cili do të ndihmojë SPAK në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta. BKH do të përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI.