Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm te Trauma, i plagosuri i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Koplik-Hot. 22-vjeçari me inicialet K. C., u dëmtua rëndë gjatë përplasjes së automjetit “Audi” që ai drejtonte me një automjet tip “Benz”.
I riu u dërgua me urgjencë në spitalin e Shkodrës, ku më pas u transferua drejt Traumës për një trajtim më të specializuar mjekësor, por pa mundur dot të mbijetonte.
Njoftimi i plotë i policisë: Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 29.08.2021, rreth orës 21:50, në aksin rrugor Koplik-Hot, në vendin e quajtur “Kështjella e Dragoit”,Vukpalaj, Malësi e Madhe, mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin F. D., 24 vjeç, banues në fshatin Rapshe, Malësi e Madhe, është përplasur me mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C. 22 vjeç, banues në Bajze, Malësi e Madhe.
Si pasojë e përplasjes ka mbetur i dëmtuar drejtuesi i mjetit “Audi”, shtetasi K. C., i cili pas ndihmës së parë në spitalin e Shkodrës u dërgua për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz” është shoqëruar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.