Gjyqtari i Fierit, Roland Hysi, i cili akuzohet për korrupsion është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda me 4 vite e 6 muaj burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar përfiton ulje dhe dënohet me 3 vite burg.
Gjithashtu i hiqet e drejta e funksioneve publike për 5 vite. Prokuroria kishte kërkuar ndërkohë në pretencë, 4 vite burg.
Hysi i kërkonte ryshfet dhe marrëdhënie seksuale një nënë të divorcuar, në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës së saj, ngjarje kjo e trajtuar në një emision investigativ.
Lexo edhe këtu rastet e tjera të rasteve abuzive të Hysit:
”S’të ndahen burrat”, seria e skandaleve të gjyqtarit Hysi. Merrte vendim në 4 minuta
Denoncimi i nënës së divorcuar:
“Unë kam qenë e martuar, për arsyet tona personale jemi divorcuar në vitin 2012 dhe Gjykata e Rrethit të Fierit ka vendosur që kujdestarinë e vajzës ta ma lërë mua. Për arsyet e mia personale dhe ekonomike, unë jam larguar në Francë dhe vajzën e kam lënë tek prindërit e mi. Në vitin 2018 ish-bashkëshorti im më ka hedhur në gjyq për të më hequr kujdestarinë e vajzës. Avokatja ime ka marrë pjesë në seancën e parë të gjyqit dhe në seancën e dytë kam ardhur unë. Ka qenë data 17 Korrik e gjyqit, gjyqtar ka qenë zoti Roland Hysi. Ka mbaruar seanca e gjyqit, atë ditë është marrë edhe vendimi i vajzës, e cila ka folur me vullnetin e saj të lirë, e pandikuar as nga babai i vet as nga unë dhe vendosi që të rrijë me mua”, tha denoncuesja.
Por pavarësisht vendimit të vajzës për të qëndruar me të ëmën, këtu fillon edhe kaluari i vuajtjeve për nënën.
“Pasi ka mbaruar seanca e gjyqit, tek dera e Gjykatës, ka qenë psikologia Elona Meçani, e cila më ka futur brenda në dhomë dhe më ka thënë se duhet të flas me gjyqtarin. Nuk e kuptova përse duhet të flas me gjyqtarin, sepse unë kur paraqitem në gjyq duhet të paraqes dokumentet, të cilat unë mendoj se i kam të gjitha. Gjyqtari nuk ka folur në prezencën e sekretares, sekretarja ka dalë dhe ky më ka kërkuar takim në një lokal. Unë po bëja 7 vite që jetoja në Francë dhe Fieri ka ndryshuar. Nuk e dija, por nuk ishte marrë vendimi atë ditë, ishte shtyrë për në datë 24.
Frika ime ishte që çfarë do të ndodhë, çfarë po bëhet. Për këtë arsye vendosa ta dëgjoj gjyqtarin dhe të dal për të mësuar për çfarë më kërkon ky, por gjithmonë ka qenë ideja që këtu jemi në Shqipëri, do të kërkojë ryshfet. Mua më ka vajtur historia e gjyqit 10 mijë euro. Sa kemi dalë nga gjykata, nuk ka vonuar as një orë, zotëria më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar takim po atë ditë. Më ka kërkuar tek Hotel Fieri. Vajta aty, ishte futur në një sallë që nuk kishte lidhje me kafenë. Ka qenë ora rreth 3:30 pasdite, ishte futur në një sallë vetëm. Aty kam kuptuar se diçka nuk po shkonte. V
ajta e papërgatitur, nuk kisha marrë masa që ta incizoja…Jam futur në sallë dhe zoti gjyqtar Roland Hysi më ka kërkuar marrëdhënie seksuale. Më ka vënë para përgjegjësisë, e para nuk i ka pëlqyer ambienti aty, sepse donte një ambient ku të relaksohej, sepse ishte shumë i stresuar sepse zgjidhte hallet e shqiptarëve. Dhe më ka thënë të shkojmë në një ambient më të qetë dhe të përshtatshëm për ne. Duke pasur postin gjyqtar që të më vërë para përgjegjësisë me fëmijën tim, që unë të kam në dorë një letër dhe me një fjalë ‘ti o do bësh ça të them unë, ose unë nuk ta jap këtë letër’.”
Denoncuesja tha se atë ditë ishte ndarë keq me gjyqtarin, të cilin edhe e kishte ofenduar dhe më pas kishte vendosur të kontaktonte emisionin “Stop”.
“Atë ditë aty jam ndarë keq me Rolandin, kam ikur, i kam rënë tavolinës me grusht, e kam ofenduar dhe kam dalë. Duke diskutuar me rrethin tim të ngushtë, por jo me familjen sepse kisha frikë, isha në ankth, isha në stres. Kam kontaktuar me emisionin “Stop”. Nuk shkova në polici sepse kisha frikë, nuk kisha besim, sepse mund të shkoja në polici dhe kjo të mbyllej pa pasur asnjë fakt, asnjë provë. Unë doja të çoja drejtësinë në vend. Të nesërmen më është përgjigjur emisioni “Stop”, jam bërë e infiltruara e emisionit “Stop” dhe atëherë ia kam çjerrë maskën Rolandit dhe sekseres së tij, duke qenë se çfarë më kanë kërkuar janë të faktuara me figurë dhe me zë. Më kanë kërkuar ryshfete.”
(E.K/Faxweb.al)