Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Vetingut për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit, Ilir Mustafaj, ish-kandidat për anëtar në Gjykatën Kushtetuese.
Në vitin 2019 gjyqtari Mustafaj u shkarkua për probleme me pasurinë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ai vendosi të apelojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm.
Ditën e sotme Kolegji shpalli vendimin për Ilir Mustafajn, pra duke lënë në fuqi shkarkimin e caktuar nga KPK.
Ilir Mustafaj u hetua vetëm për aspektin e pasurisë. Ndër disa probleme të gjendura ishin një apartament 121 m2 në Tiranë si edhe një shumë prej 30 mijë euro e përfituar nga një kompani ndërtimi. (Lexo edhe)
Ilir Mustafaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar deri në vitin 2000 si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës prej vitit 2000, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Paralelisht me punën si gjyqtar, Mustafaj ka punuar edhe si pedagog i jashtëm në fakultetin e Drejtësisë në Tiranë si dhe në disa universitete private në vend.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.58/2019, datë 12.11.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Ilir Mustafaj, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 180, datë 18.07.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 180, datë 18.07.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Ilir Mustafaj.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 22.07.2021.
(E.H/Faxweb.al)