Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur ditën e sotme të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, Alfred Agolli.
Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Alfred Agollit për shkak se nuk kishte deklaruar një hua të marrë për të blerë apartamentin e tij.
KPK i vuri në dukje në vitin 2019 Agollit problemet e gjetura sa i përket pasurisë së tij të vetme; një apartament 68.5 metra i blerë në vitin 2007 në Gjirokastër. Sipas KPK-së për këtë pasuri ishin përdorur dy hua dhe se për të parën në vlerë 3 milionë lekë nuk ishte deklaruar dhe nuk kishte për të informacion provues.
Agolli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket pasurisë dhe shpjegoi mënyrën se si ishin kryer transaksionet, por ai pranoi se nuk e kishte deklaruar dhe se nuk kishte dokumentacion provues për huanë e parë.
Alfred Agolli e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998 dhe ka ushtruar funksionin fillimisht në prokuroritë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, Agolli është emëruar drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 është promovuar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.54/2019, datë 28.10.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Alfred Agolli, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 177, datë 08.07.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 177, datë 08.07.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Alfred Agolli.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.07.2021
(E.H/Faxweb.al)