Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një konference për gazetarët ka treguar edhe pazarin që i ka ofruar Rama që të hiqen koalicionet.
Gjatë fjalës së tij kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se Edi Rama i ka kërkuar me ndërmjetës, që kreu i PD të bëhet Kryeministër, ndërsa kreu i PS të behet President i vendit.
“Për një muaj e gjysmë Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij, pothuajse çdo ditë me të njëjtin mesazh, ti kryeministër unë president vetëm të heqim koalicionet. Ramës nuk i bëhet vonë për njerëzit. Për këtë besoj nuk ka nevojë të zgjatem sepse është në fund në ikje dhe bëmat e gjëmat e tij i njeh çdo kush. Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij.
Ky ka qenë mesazhi i tij heqim koalicionet dhe ti kryeministër e unë president. Kështu e sheh Rama politikën si një pazar i ndyrë, si një lojë me porta të vogla për të vjedhur dhe zhvatur shqiptarët siç ka bërë në këto shtatë vite e gjysmë. Kryeministri në ikje nuk e prek dot Kushtetutën me 122 deputetë, nga të cilët gjysma nuk përfaqëson askënd përveç se paratë e Taulant Ballës dhe favoret me të cilat janë blerë dhe shitur. Çdo hap në këtë drejtim është fund i marrëveshjes së 5 qershorit”. tha Basha.
Por kur ka ndodhur ky ndërmjetësim? “Bëhet fjalë për tani, për periudhën mars-prill-maj. Po të kishte pasur përgjigje tjetër nga unë sot nuk do të shikonit një njeri të tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme. Sa i përket cështjes së pazarit, se pazar kërkoi, por nuk mori dhe nuk do të marrë kurrë”.
(M.Q/Faxweb.al)