Ambasadorja amerikane Yuri Kim do të ketë një takim në orën 11:00 me presidentin e vendit Ilir Meta, pas dështimit të një marrëveshje mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.
Takimi i Kim me Metën vjen pak ditë pasi presidenti Meta ka bërë publike dhe një marrëveshje me 14 pika për zgjidhjen e krizës politike në vend, të cilën tha se ia kishte dorëzuar dhe ambasadores që në datën 8 Prill.
Prej disa ditësh ambasadorja amerikane Kim, së bashku me Luigi Sorecën e BE-së, dhe Norman e Britanisë së madhe, kanë luajtur rolin e negociatorëve mes palëve politike për Reformën Zgjedhore, e cila ishte parashikuar që të përmbyllej deri në datën 31 Maj.
Opozita nuk pranon depolitizimin e administratës zgjedhore, që nënkupton heqjen e komisionerëve partiakë nga qendrat e votimit dhe numërimit të votave, dhe zëvendësimin e tyre me nënpunës publik, pasi sipas saj kjo do të sillte kapjen e tyre nga qeveria.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama u shpreh dje skeptik për identifikimin biometrik të zgjedhësve, që sipas tij duhej të ishte testuar në zgjedhjet lokale të 2019-tës, dhe projekti pilot duhej të ishte testuar në disa qytete të vendit më parë.
Yuri Kim duke folur më herët për diferencat mes palëve, tha se mazhoranca kishte bërë lëshime, dhe tashmë topi ishte në dorën e Lulzim Bashës, i cili nga ana e tij, edhe pse ka zhvilluar takime të ngjeshura, ende nuk është gati për të dhënë ok-in për marrëveshjen.
Rama tha mbrëmë në një emision televiziv, se në rast se opozita nuk jep dakordësinë, Reforma Zgjedhore do të kalojë edhe në mënyrë të njëanshme në Kuvend, pasi nuk mund të mbahet peng procesi i Integrimit të vendit. (E.K/Faxweb.al)