Futi në sherr politikën shqiptare, jepet vendimi për Edmond Begon në Greqi. Shqiptari i shumëkërkuar do të qëndrojë në burg në Korfuz, derisa të ketë një kërkesë nga Italia për ekstradim.
Bego, i njohur si biznesmen në fushën e ndërtimit u arrestua dy ditë më parë teksa po kthehej nga pushimet në Korfuz dhe përmes Igumenicës do të kalonte për në Shqipëri.
Ish-drejtori i klubit të Futbollit të Lushnjes njihet si mik i Aldo Bares ndërkohë që është dënuar nga drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike të kryer më shumë se një herë.
Bego ka qenë për një periudhë kohore edhe president i klubit lushnjar. Policia shqiptare e ka arrestuar disa herë Begon për trafik dhe shitje droge.
Arrestimi i Begos solli një sërë deklaratash dhe akuzash mes politikës në vendin tonë, se kush e kishte vonuar arrestimin e tij derimë tani.
Ishte Partia Demokratike, e cila me anë të deputetëve Edi Paloka dhe Edmond Spaho, që kanë akuzuar deputetin socialist Taulant Balla, dhe pretendojnë se ka lidhje me trafikantin Bego.
(E.K/FAXWEB.AL)