Gjyqtari Neritan Cena nuk ia ka dalë të justifikojë pasurinë dhe KPK e ka shkarkuar nga detyra.
Neritan Cena ka përfunduar studimet e Magjistraturës në vitin 2005 dhe është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Kurbinit. Në vitin 2006, ai u emërua në Gjykatën e Vlorës, ndërsa prej vitit 2010 e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës. Cena ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Neritan Cena nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2004, gjyqtari Cena deklaronte pasuri familjare prej 1.8 milionë lekësh. Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 16.4 milionë lekëve.
Pjesa kryesore e pasurisë përbëhet nga pasuritë e patundshme me vlerë 13.1 milionë lekë. Cena deklaron edhe një automjet me vlerë 714 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 99 mijë lekësh, ndërkohë që shumatorja e kursimeve në cash të deklaruara ndër vite është 2.4 milionë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 27.7 milionë lekë, nga të cilat paga nga funksioni i gjyqtarit zë gati 45% dhe paga e bashkëshortes 26% të totalit. Rreth 21% e të ardhurave burojnë nga dhuratat e familjarëve, 4% nga të ardhurat nga qiraja dhe gati 2% nga shitja e makinave.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Z. Cena rezultoi pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” huatë e marra nga familjarët për të financuar blerjen e pasurive të patundshme.
Në vitin 2016, gjyqtari Cena deklaron si shtesa pasurie blerjen e një shtëpie banimi në Gjermani me vlerë 48.500 euro dhe të një apartamenti në Tiranë me vlerë 5.4 milionë lekë. Si burim të ardhurash për këto asete, subjekti deklaron dhurimet në cash prej 38.907 euro nga babai dhe motra e tij, hua në vlerat e 5.4 milionë lekëve dhe 9 mijë eurove nga kunata dhe bashkëshorti i saj si dhe një hua tjetër prej 2 mijë eurosh nga një i afërm.