Kuvendi i Shqipërisë ka votuar shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës së Shqipërisë. Pro kanë votuar 104 deputë, kundër 7, ndërsa abstenuan 3.
Procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta filluan fill pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 Prillit nga ana e socialistëve, më datë 3 maj. Pretendimet e mazhorancës për shkarkimin lidheshin me deklaratat e presidentit gjatë fushatës elektorale, ku sipas të majtëve u cilësuan si shkelje të rënda të Kushtetutës pasi nxisnin dhunën kundër rendit demokratik.
Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta u krijua në kohë rekord. Pa u certifikuar ende rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, socialistët nisën dhe përfunduan në kohë rekord procesin parlamentar që i paraprin shkarkimit të presidentit.
Në 8 ditë që prej datës 3 Maj, Kuvendi mori me shpejtësi një sërë veprimesh parlamentare, për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta:
1- U bë kërkesa për shkarkimin e presidentit nga 49 deputetë,
2- Kërkesa u fut në rendin e ditës nga konferenca e kryetarëve,
3- Komisioni i Ligjeve shqyrtoi kërkesën, hartoi një raport dhe votoi pro ngritjes së një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit,
4-Kuvendi votoi pro ngritjes së komisionit hetimor,
5- U mbajt mbledhja e parë e komisionit hetimor.
Puna e Komisionit Hetimor zgjati rreth një muaj dhe me shumicë votash u vendos pro shkarkimit të Presidentit, shkarkim ky i cili u finalizua ditën e sotme me votimin në parlament.
Tashmë çështja pritet t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vihet në dijeni për votimin brenda 5 ditëve nga ana e Kuvendit.
Vetëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të bëjë shkarkimi e Presidentit nga detyra.