Autoritetet greke lirojnë nga burgu biznesmenin Edmond Bego.
Ai u ndalua pak ditë më parë në Korfuz, dhe pas verifikimeve nga ana e autoriteteve greke është lënë i lirë.
Interpol Roma ka bërë të ditur se Edmond Bego nuk ka qenë në kërkim ndërkombëtar, ndryshe nga sa u tha fillimisht.
Arrestimi i Edmond Begos në Greqi ndezi ndjeshëm tonet e akuzave mes palëve politike në vendin tonë, ku PD-ja akuzonte qeverinë se i kishte garantuar Begos mbrojtje ligjore.
Nga ana tjetër dje në një deklaratë për mediat kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla pranoi njohjen me Begon, dhe garantoi se ai do të lirohej pasi e ka vuajtur dënimin e tij vite më parë, dhe nuk mund të paragjykohet përjetësisht për një gabim.
Edmond Bego, biznesmen në fushën e ndërtimit është dënuar në Itali me 21 vite burg për trafik droge dhe më pas i është konvertuar dënimin në 4 vite e 4 muaj në Shqipëri, pasi ka përfituar nga disa hapësira ligjore dhe marrëveshje mes dy vendeve.
Kanë qenë 5 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë ata që kanë marrë vendimin për Begon, tre prej të cilëve sot janë shkarkuar nga vetingu, si Gani Dizdari apo Fatos Lulo.
Kjo e shmang atë nga çdo lloj detyrimi në shtetin italian, pasi dënimi rezulton i shlyer në Shqipëri. Ai njihet ndryshe si mik i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes.
(E.K/FAXWEB.AL)