Me vetëm 1 votë kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kodin Penal, me propozimet e bëra nga Presidenti Ilir Meta. Propozimet e institucionit të presidencës u bënë publike mëngjesin e sotëm dhe u kaluan me votim të hapur në Kuvend.
Ishte kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ai që u shpreh se ka pasur një bashkuëpunim shumë të mirë me institucionin e presidentit, dhe një zbutje të masave që ishin parashikuar më herët nga socialistët.
“Dje është zhvilluar një mbledhje e dytë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një nga pikat ishin ndryshimet në Kod. Presidenti dhe Këshilli i Sigurisë, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat që asistuan në mbledhje, dhe unë në emër tuaj, e njoftova këtë mbledhje lidhur me adresimin e shqetësimeve të 14 institucioneve të shtetit shqiptar dhe 30 organizatave të shoqërisë civile, dhe presidenti në fund kërkoi nga ekzekutivi dhe nga mua si kryetar parlamenti ta njihja me përfundimet e arritura nga mbledhja e komisionit të ligjeve.
Unë i vura në dispozicion produktin final të komisionit të ligjeve, me relacionin dhe adresimin e shqetësimeve. Sot gjatë seancës presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse president-parlament ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera”, sqaroi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, duke hedhur në votim riformulimet në ndryshimin e Kodit Penal, sipas propozimeve të Presidentit Meta.
Propozimet e Metës.
Neni 242/1
Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme apo gjendjes së epidemisë
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, gjatë gjendjes së epidemisë apo gjatë zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative dhe pa një shkak të ligjshëm, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik të shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vite.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose vetizolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose izolimit nga personi mbartës, ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar individualisht ky detyrim nga autoritetet përkatëse shëndetësore, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.
Neni 89/b
Përhapja me dashje e sëmundjeve infektive
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohen me burgim nga 3 deri në 8 vjet.
Kur nga vepra, është shkaktuar vdekja e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.
(E.K/Faxweb.al)