Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pezulluar nga detyra Lindita Lelçajn, me detyrë Drejtore e Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Kurbin, pasi u ndalua nga policia për korrupsion.
Në një reagim zyrtar bëhet me dije se ” në vijim të informacioneve mbi ndalimin me urdhër të Prokurorisë Kurbin të shtetases Lindita Lelçaj me detyrë Drejtore e Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Kurbin, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka firmosur urdhrin për pezullim të menjëhershëm nga puna.”
Shefja e Shërbimit të Provës në Laç, Lindita Leçaj u ndalua ditën e sotme nga Polica e Lezhës, pasi dyshohet se është përfshirë në korrupsion me dosjet e të dënuarve me shërbim prove. Burime nga prokuroria e Kurbinit bëjnë me dije se Lelçaj është vënë në pranga si pasojë e një operacioni nëpërmjet personave te infiltruar, me metoda proaktive.
Në një hark të shkurtër kohor, Arjola Preçi prokurore e Kurbinit ka arritur të zbardhë një rast korrupsioni nga ana e shefes se Shërbimit te Provës ne Laç Lindita Lelçaj.
Burime bëjë me dije se Lelçaj manipulonte provat për persona që vuanin dënimin, duke dhënë verifikime edhe për të dënuar që ndodheshin jashtë vendit.
Sipas burimeve, gjatë momentit të arrestimit, shefes së shërbimit të provës i është gjetur edhe një sasi vlere monetare, të cilat i ishin dhënë nga i infiltruari.
Nuk është hera e parë që shefja e shërbimit të provës në Kurbin Lindita Lelçaj akuzohet për korrupsion. Edhe para disa kohësh është akuzuar për humbje të disa dosjeve të dënuarish, por nuk është marr asnjë masë ndëshkimore.