Pas dy javëve të rikthimit në normalitet, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, janë zbuluar edhe dy raste të reja me COVID-19, dhe bëhet fjalë për dy pacientë të shtruar.
Një nga pacientët 80-vjeçare që ishte infektuar me COVID-19, ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së enjte, ndërkohë që ministria e Shëndetësisë ka mbajtur të fshehur rastin.
Sipas komunikatës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë përditësimit të të fundit thuhet se janë 23 raste të reja me Covid, prej tyre 2 punonjës personel mjekësor, por nuk përmendet asnjë rast vdekjeje nga Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, dhe as transferimi i një prej pacientëve në shërbimin Infektiv.
Burime nga Sanatoriumi bëjnë me dije se 80-vjeçarja ka qenë shtruar për një periudhë të gjatë në shërbimin e sëmundjeve interne dhe ka dalë nga ky spital 10 ditë më parë.
Por, një javë më pas gruaja është rikthyer sërish për të njëjtën sëmundje të diagnostikuar më herët; fibrozë në mushkëri, këtë herë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas rikthimit në normalitet. Gjendja shëndetësore e 80-vjeçares ka qenë tejet e rënduar dhe pas 24 orëve ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e të enjtes.
Askush nga mjekët nuk ka qenë në dijeni se gruaja vuante edhe nga Covid-19, derisa analiza e tamponit doli pozitive. Ndërkohë, rasti i dytë i zbuluar me Sars Cov2 në të njëjtin spital, një pacient i shtruar në pavion, është transferuar mbrëmjen e djeshme në Spitalin Infektiv.