Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që të takohet me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet sot në orën 11 në presidencë, ndërkohë që takimi vjen një ditë pas vendimit të Komisionit të Ligjeve për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Ditët e fundit situata politike është trazuar sërish pasi kryeministri Edi Rama pranoi propozimet e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese për Reformën Zgjedhore, që do të përfshinin hapjen e listave si dhe ndalimin e koalicioneve zgjedhore.
Nga ana tjetër PD ka deklaruar se Rama ka hedhur në erë marrëveshjen e 5 qershorit për ndryshimet në Reformën Zgjedhore, e cila pati edhe miratimin e ndërkombëtarëve.
Po ashtu i ashpër ishte edhe reagimi i zv/Kryetari i i Grupit Parlamentar CDU/CSU-së, Johann Wadephul në Bundestag-un gjerman, i cili tha se ndryshimet do të asgjesonin Reformën Zgjedhore.
“Ndryshimi Kushtetues do të minonte reformën zgjedhore. Do të çonte në shkeljen e marrëveshjes. Një qasje e tillë është shkelje e besimit ndaj BE,” ka thënë ai.
Dje presidenti i vendit Ilir Meta reagoi ashpër ndaj këtyre ndryshimeve duke thënë se “është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë”.
Sakaq kryeminsitri Edi Rama i kujtoi opozitës jashtëparlamentare se kanë respektuar një marrëveshje që duhet ta respektojnë, por kjo nuk do të thotë se nuk rrezikohet nga sharjet e provokimet.
“Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë.
Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…
As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!”, shkroi Rama.
Çfarë u vendos në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve? Komisioni i Ligjeve ka miratuar me dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës parlamentare ndryshimet në Kushtetutë, ku do të sanksionohen listat e hapura dhe praktikisht heqja e koalicioneve parazgjedhore. Komisioni ka vendosur në mënyrë unanime që ndryshimi i pragut elektoral të mos vendoset në Kushtetutë, dhe të jetë pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal.
Thelbi i ndryshimeve është pika nr.3 e nenit 64 të Kushtetutës, e cila përcakton hapjen e listave zgjedhore për kandidatët, gjë e cila pamundëson dhe koalicionet tipike parazgjedhore mes forcave politike. Megjithatë, pavarësisht se përmes kushtetutës i hapet rruga këtij veprimi, ligjvënësit nuk e kanë specifikuar këtë duke theksuar se gjithçka do të përcaktohet përmes Kodit Zgjedhor.
Ndërkohë që sipas asaj që është vendosur në Kushtetutë ruhet sistemi propocional rajonal, që duket të ketë qenë dhe një nga kushtet e vendosura që në krye të herës nga kryeministri Edi Rama.
Neni 64 si ishte:
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona
zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej
niveleve të organizimit administrativoterritorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e
zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin
për zgjedhjet”.
Si do të ndryshojë
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dhe prag kombëtar.
2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar. (i cili mbetet ende i papërcaktuar)
3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.
Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”
Si ndryshohet neni 68, ishte
“1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike,
koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të
paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike.
Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes
së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për
deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për
organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve,
zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e
rezultateve të tyre”
Si do të ndryshojë
“1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.
Në ndryshimet e propozuara nga relatorët thuhet se 2.3 e kandidatëve që do të jenë pjesë e listave duhet të zgjidhen nga vetë qytetarët, ndërkohë që duhet të garantohet dhe përfaqësimi gjinor.
“Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”, thuhet në një prej amendamenteve.