Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sërish në Velipojë, ku si pasojë e shpërthimit të disa prej bombulave të gazit në një hotel, kanë mbetur të plagosur 4 persona. Nga informacionet paraprake bëhet me dije se janë dëmtuar 3 gra dhe një fëmijë, të cilët janë transportuar me urgjencë në gjendje të rëndë në spital.
Të katërt këta persona, anëtarë të familjes Gjoka, kanë pësuar dëmtime të shumta në trup për shkak të djegies nga shpërthimi i bombulës së gazit.
Burime bëjnë me dije se personat e mbetur të lënduar janë Klarisa Gjoka 15-vjeçe, Danjela Gjoka 18-vjeçe, Enriko Gjoka 19-vjeç dhe e ëma e tyre Alketa Gjoka 40-vjeçe, anëtarë të familjes së pronarit të hotelit, i cili ndodhet në Itali.
Ata janë transportuar drejt spitalit të Shkodrës, ku dhe po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor. Pritet transportimi i tyre drejt Tiranës për shkak të gjendjes së rënduar dhe nevojës për një kujdes më të specializuar mjekësor.
Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme fuqia e shpërthimit ka qenë tepër e fortë sa ka shkatërruar pothuajse të gjithë katin e parë e hotelit 3-katësh
Fatmirësisht në hotel nuk ka pasur pushues, pasi bilanci i personave të plagosur mund të ishte akoma dhe më i lartë.
Njoftimi i plotë i policisë: Velipojë/Shkodër
Informacion Paraprak
Më datë 04.07.2021, rreth orës 06:45, në fshatin Pulaj-Plazhë, rruga Nr.5, Velipojë, Shkodër, në një hotel tre katësh ka shpërthyer një bombul gazi, ku si pasojë janë dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe E. Gj. 12 vjeç, të cilët u dërguan për ndihmë mjeksore më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarje.