Ka nisur konferenca e ish-kryeministrit Sali Berisha me gazetarët, ku njoftoi se javën e kaluar avokati i tij francez ka depozituar padinë për shpifje ndaj sekretarit amerikan Anthony Blinken, në gjykatën e Parisit.
Berisha tha se në komunikimin që ka pasur dhe me avokatin francez, ky i fundit ka thënë se padia mund të ngrihet ndaj çdo zyrtari, sa kohë që shpifja përfshihet në veprat penale që nuk mbrohen nga imuniteti i zyrtarëve.
Berisha:
Së pari ju falenderoj që jeni sot këtu të pranishëm, në këtë konferencë të cilën e kam thirrur për tu njoftuar ju dhe qytetarët shqiptarë, se avokati im ka dorëzuar padinë për shpifje ndaj zotit Blinken në Gjykatën e Parisit. Siç iu kam njoftuar dhe më herët që pas vendimit të Blinken për të më shpallur mua non grata së bashku me familjarët e mi, udhëzova avokatin tim për të ngritur padi, javën që kaloi kjo padi u dorëzua, dhe ju do merrni dëshminë e dorëzimit të saj. Sipas avokatit tim, kjo padi për shpifje bazohet në precedentë të mëparshëm, dhe se për shpifjen nuk ka imunitet.