Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të mos ketë një shtrëngim të masave për parandalimin e përhapjes së Covid 19.
Lajmi u bë i ditur nga drejtuesja e Komitetit Mira Rakacolli, e cila u shpreh se masat që kanë qenë në fuqi deri sot, do të vijojnë për një afat të pacaktuar, por nuk parashikohet një mbyllje e fundjava, siç ishte raportuar më herët nga burime të ndryshme.
Rakacolli: Komiteti i Ekspertëve bëri një analizë të thelluar në mbledhjen që u mbajt sot, masat do të vijojnë të jenë njësoj si ato të tre javëve që lamë pas, pasi në javën e fundit ka pasur një ulje të rasteve.
Ndalohen grumbullimet e më shumë se 10 personave, mbledhjet partiake, ceremonitë mortore jashtë familjes. Do të vijojë të jetë në fuqi ora policore pas 22 të mbrëmjes deri në 06 të mëngjesit.
Këto masa do të jenë në fuqi për një afat të pacaktuar dhe në rast se do të ketë një përkeqësim të situatës ato do të rishikohen.
Sa i takon mënyrës sesi qytetarët shqiptarë do ti kalojnë festat, Rakacolli tha se është herët për të folur për këtë , pasi situata e Covidit është shumë dinamike.
“Jemi akoma disa javë larg Krishtlindjeve, situata ndryshon në vazhdimësi. Fakti që ndalohen grumbullimet është pa afat, kështu që ne shpresojmë që masat të kenë më shumë efekt”, tha Rakacolli.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post