Kreu i qeverisë Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka shigjetuar ambasadorët e vendeve të BE-së dhe SHBA-së në vendin tonë, që sipas tij nuk mund të ndërhyjnë në çështjet e sistemit zgjedhor, pasi sipas Komisionit të Venecias, kjo është një vendimmarrje që duhet ta marrin vetë shtetet.
Duke iu referuar Kim, Rama tha se nuk i vjen aspak mirë që dëgjon deklaratat e saj, që thotë se do të vëzhgojnë veprimet e klasës politike, në një kohë që Kuvendi dhe qeveria janë sovrane, dhe të votuara nga populli.
“Më lejoni që t’iu përcjell miqve tanë ndërkombëtarë një mesazh, nga Kuvendi sovran, nga kryeminsitri i një qeverie sovrane.
Dua që tiu kujtoj atë që thotë Komisioni i Venecias, që shtetet gëzojnë një marzh të gjerë vendimi për zgjedhjen e sistemeve, për shkak se sistemet janë zgjidhje politike, nuk ka standarde ndërkombëtare që ndërhyjnë në shpërndarjen e mandateve.
Nuk është një e drejtë që duhet ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as me ambasadorin e BE-së. E them këtë, se u bënë 30 vite, dhe nuk mund të vazhdojmë dhe tre të tjera, duke mos i thënë gjërat ashtu siç janë. Nuk është përgjegjësia e tyre që ne prej 30 vitesh kërkojmë zgjidhjen në anglisht për problemet tona.
Kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë që do i ndjekim drejtuesit politik nëse e mbajnë fjalën, sinqerisht që nuk më vjen mirë, jo vetëm për veten time, por për asnjë person që jeton në këtë vend”, tha Rama në fjalën e tij.
(E.K.Faxweb.al)