Nuk kanë të ndalur lëkundjet e tokës në Korçë dhe rrethina. Dy lëkundje të tjera janë ndjerë pak minuta më parë nga qytetarët, ndërsa frika dhe paniku është prezente në çdo banesë.
Vetëm në dy ditët e fundit ky qytet është prekur nga dhjetra lëkundje, duke bërë që të ketë mjaft dëme në banesa, ndërsa disa persona kanë mbetur të lënduar.
Banorët e tre fshatrave Floqit, ku ishte epiqendra e tërmetit, Vidovës dhe Qafë Zezës kaluan natën e djeshme në çadra pasi shtëpitë e tyre ishin të pabanueshme. Sipas emergjencave civile numri i qytetarëve që e kaluan natën jashtë ishte 230.
Ndërkohë që banorët që janë akomoduar në çadra u shprehën sot se kushtet janë të papërshtatshme për të jetuar, dhe kanë ndjerë të ftohtë përgjatë gjithë natës.