OFL u ka kërkuar deklarimin e pasurisë tre personave, 2 prej të cilëve me banim në Berat dhe një tjetër në Tiranë.
Burime bëjnë me dijë se tre personave që u kërkohet deklarimi pasuror janë: Eduart Nazeri, Gentian Çako dhe Mond Bego.
Ky i fundit është një emër i përfolur, kryesisht nga ana e opozitës, pasi akuzohet se është njeri i afërt me kreun e grupit parlamentar në PS, Taulant Balla.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
Eduart Nazeri, banues në Berat, arrestuar në vitin 2013, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Gentian Çako, banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”.
Mondi Bego., banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.