Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë te dhënë nga Shkalla e Parë për 18 persona nga 28 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shpirti”.
Për 14 prej tyre, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën “arrest me burg”. Ndërkohë prokurori Maskim Sota, ish zv.drejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla dhe dy të arrestuarit e tjerë Abdyl Krasniqi dhe Luan Krasniqi, janë lënë në arrest shtëpie.
Ndërkohë, bashkëpunëtorët e drejtësisë kanë dhënë detaje në lidhje me rolin e zyrtarëve të policisë të dyshuar si të përfshirë në grupin kriminal që merrej me trafikun e drogës.
Në dosjen hetimore, që Fax neës e disponon të plotë, thuhet se bashkëpuntorët, që ndihmuan në hetimin dhe në zbulimin e këtij grupi kriminal, ku ishin të përfshirë zyrtarë të lartë policorë, mes të cilëve prokurori i Vlorës Maksim Sota, ish polici Festim Felaj, etj janë Mariglen Shusha, Donial Drolli, Elton Hamza, Ferhat Ajdini dhe Fiqiri Seferi.
Sipas Drollit dhe Shushës, grupi kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Dy nga pikat më të forta të mbështetjes në Policinë e Shtetit, ishin ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokë-lopa”, si dhe prokurori Maksim Sota i cili i mbyllte çështjet me drejtësinë.
Në dosjen e SPAK-ut, sipas të penduarve të drejtësisë, thuhet se ish-zëvendësdrejtori i Policisë së së Vlorës, Ilirjan Balla jepte garanci për pjesën tokësore të trafikut përfshirë edhe kultivimin, magazinimin dhe transportin deri në momentet që do të ngarkohej në gomone.
Sipas tyre, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Vlorës, ka qëndruar në shtëpi me qira, që paguhej nga llrijan Duçellari, i njohur si “Lani”, personi që organizonte trafikimin e kanabisit. Gjithashtu ato shtojnë se te njejtën gjë kanë bërë edhe me prokurorin Sota.
Por ky i fundit, gjatë seancës ka mohuar akuzat duke u shprehur se nuk ka paguar asnjëherë shtëpi me qera, por rrinte tek banesa e vëllait të tij, si dhe ne disa raste e bënte vajtje ardhje rrugën Vlorë-Lushnje, ku kishte edhe vete baesën.
Aktiv në grupin e strukturuar kriminal, ishte dhe ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut. Lelaj ka një tjetër dënim mbi supe për përfshirjen në trafikun e 2.5 tonë droge drejt Italisë. Kjo është akuza e dytë zyrtare.
Burime nga SPAK bëjnë me dije se hetimet në këtë dosje janë ende ne vijim, pasi bashkëpunëtorët nxjerrin edhe emra të tjerë zyrtarësh të implikuar dhe flasin për të dhëna alarmante, se si janë të përfshirë në çështjet e trafikut të drogës, duke pranuar para nga trafikantët.
(E.H/Faxweb.al)