Do të mbahet gjatë ditës së sotme seanca e sigurisë për 6 personat e arrestuar për ngjarjen në Kukës, ku u pengua arrestimi nga Policia i Abedin Oruçit.
Burime bëjnë me dije se prokuroria ka kërkuar që për tre të arrestuarit të jepet masa e arrestit me burg, dy të tjerë arrest shtëpie dhe një detyrim paraqitjeje.
Policia deklaroi dy ditë më parë se kishte informacione se Oruçi ndodhej në lokalin në pronësi të tij, por në momentin që efektivët ishin nisur që ta arrestonin, ata u penguan nga të afërm të Oruçit, ndërsa ky i fundit kanosi me armë punonjësit e Policisë së Shtetit. Në lidhje me këtë ngjarje u vunë në pranga të afërmit e Abedin Oruçit të cilët pamundësuan arrestimin e tij.
Në pranga kanë rënë Gazmend Oruçi, Besmir Muçmata, Zekria Shehu, Ermir Markaj, Eglant Ollomani, Behar Duraku, të afërm të Oruçit, ndërkohë që është shpallur në kërkim vetë ai dhe një tjetër person. Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë dhe disa persona të tjerë. (E.K/Faxweb.al)