Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka përsëritur edhe njëherë mbrëmjen e sotme ftesën e tij për të dalë në një debat publik kundër Lulzim Bashës.
Në një reagim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë, Kadilli deklaroi se pavarësisht që nuk u miratuan 5 kërkesat e tij ai nuk heq dorë nga ftesa për një debat me Bashën.
Fatbardh Kadilli i vuri theksin rëndësisë që ka debati, duke shkuar më tej teksa kërkoi që të katër kandidatët për kreun e PD-së të dalin një debat publik përpara anëtarësisë në mënyrë që dhe ata ta kenë më të lehtë për të vendosur.
“Pati diskutime debate. U përqëndrua në kërkesat që u paraqitën sot. Nga 5 kërkesat u miratuan vetëm 1. Katër pikat e tjera nuk u hap as debat mjaftueshëm. Ccështja kryesore që unë vazhdoj të këmbëngul dhe që do t’i shërbente PD për të krijuar një ushtrim të ri demokratik do të ishte energjizues dhe përfshirës. Ai është ccështja e një debati. I kërkova me këmbëngulje kryesisë që të mundësonte anëtarësisë që të ketë mundësi të dëgjojë të katër kandidatët përnjëherësh në një debat të hapur. Do të ishte lehtësi për anëtarësine dhe për vetë kandidatët. Nuk u pranua. Unë do të vazhdoj të këmbëngul. Lulzim Basha është i sfiduar nga unë personalisht për të dalë në një debat publik. Për t’u përballur në lidhje me të vërtetat tona për PD-në. Nuk do t’ja propozojmë veten tonë shqiptarëve në vitin 2024, por deri sot. Pa humbur jo një 24 orë, por asnjë sekondë. Nuk ka një gjë që shqetëson PD dhe nuk shqetëson shoqerinë shqiptare. Nuk ka pse fshehim asgjë. Të vërtetat tona do t’i përballojmë në sytë e publikut”, u shpreh Kadilli.
Ditën e sotme Kryesia e Partisë Demokratike u mboldh për shqyrtimin e 9 kandidaturave që kërkonin të garonin në zgjedhjet e 13 qershorit. Ajo vendosi të miratojë vetëm katër prej tyre, konkretisht Lulzim Bashën, Edith Harxhin, Fatbardh Kadillin dhe Agron Shehajn.
(E.H/Faxweb.al)