Pedagogu i Akademisë së Forcave të Armatosura, Agim Sulaj është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme, ndërsa lajmin e hidhur e jep ish-ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ish-ministrja shkruan se pedagogu Sulaj ishte një nga profesorët më me eksperiencë që kontribuoi në përgatitjen e brezave të tërë ushtarakësh.
“Trishtim e dhimbje pas lajmit për largimin nga jeta të profesor Agim Sulaj, një prej pedagogëve më të vjetër dhe më të vlerësuar të Akademisë së Forcave të Armatosura. Pata nderin të punoj me të, për një prej projekteve që ai kishte aq shumë përzemër: akreditimin e AFA si i vetmi institucion i arsimit të lartë për mbrojtjen dhe sigurinë në vend.
Mirënjohje e nderim për pedagogun, që me shumë përkushtim kontribuoi në përgatitjen e brezave të tërë ushtarakësh dhe punoi më shumë profesionalizëm, për atë që Akademia e Forcave të Armatosura është sot. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e kolegëve”, shkruan Xhaçka në postimin e saj.
Discussion about this post