Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në kryeqytet, ku një këmbësor është përplasur teksa po kalonte në vijat e bardha.
Ngjarja është shënuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, rreth orës 22:50, dhe i lënduar ka mbetur këmbësori që dyshohet të jetë një shtetas i huaj. Ky i fundit nuk është identifikuar ende.
Sipas burimeve të Fax News, personi i dëmtuar nga aksidenti në fjalë i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike dhe ndodhet në sallën e operacionit për shkak të plagëve të rënda që ka marrë nga përplasja.
Ndërkohë, Policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit tip “Minicooper”, por në rajon ka përfunduar edhe drejtuesi i mjetit “Volkswagen”.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 17.09.2021, rreth orës 22:50, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë përfshirë në përplasje mjeti me drejtues shtetasin E. B, me mjetin me drejtues shtetasin E. Sh. Si pasojë është dëmtuar një këmbësor ende i paidentifikuar, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.