Drejtoresha e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Vjollca Braho është prekur nga Covid 19, ndërkohë që prej disa ditësh ka pasur nevojë për trajtim spitalor. Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se Braho tashmë është transferuar nga spitali Infektiv në atë të Sanatoriumit, i cili është shndërruar në një Covid 2, pas shtimit të madh të rasteve me koronavirus.
Një prej shkaqeve që Braho është transferuar në Sanatorium, është fakti se Covid 19 i ka prekur asaj mushkëritë, dhe ky spital është i specializuar pikërisht në këtë fushë. Po ashtu Braho ka pasur vështirësi në frymëmarrje, një tjetër simptomë kjo e Covid 19.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Brahos, simptomat i kanë nisur para disa ditësh, ndërkohë që për momentin gjendja e saj është e stabilizuar, edhe pse ndodhet në repartin e terapisë intesive, dhe po mbahet nën kujdes të shtuar shëndetësor.
Drejtoresha e ISHSH-së ka rezultuar pozitive me Covid pas ekzaminimit me skaner, ndërkohë që tamponi i ka dalë fillimisht negativ, gjë që është theksuar dhe nga drejtuesi i urgjencës kombëtare Skënder Brataj. Jo gjithnjë tamponi jep një rezultat real, pasi marshi i tij i gabimit është i lartë, diku të 30%.
Vjollca Braho ka qenë pjesë e grupeve të kontrollit në terren, dhe prej fillimit të pandemisë, më shumë se 4 muaj më parë, ajo ka udhëhequr respektimin e masave kundër Covid në të gjitha institucionet publike dhe biznese. Prej kohës kur ka rezultuar pozitive me Covid 19, ajo është izoluar, ndërkohë që janë marrë të dhëna për kontaktet e saj të afërta, dhe u janë bërë atyre testimet e nevojshme.
Të shpresojmë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt për drejtoreshën e ISHSH-së, dhe ajo të kthehet sa më shpejt në krye të detyrës, që i kushtoi të gjithë energjitë e saj në muajt e fundit.
(E.K/Faxweb.al)