Ndërkohë që situata politike vijon të jetë e tensionuar në vend, Presidenti i Republikës Ilir Meta mbrëmjen e sotme ka hedhur hapin e radhës, duke i dërguar një letër publike kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa i bën thirrje për reflektim, në letrën e tij drejtuar kreut të qeverisë Meta i kujton këtij të fundit mundësinë e humbur të takimit, pavarësisht pritjes së tij nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13:00, ku me një ironi të hollë shprehet se: “Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.”
Duke shkruar se ka që nga 8 qershori që pret për një takim për të vendosur së bashku datën e zgjedhjeve, Presidenti Meta shton më tej se ka vendosur për 13 tetorin pasi kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Por, kësaj letre nuk i kanë munguar dozat e humorit referuar pretendimeve të kryeministrit se Meta ka vendosur për 13 Tetorin datë zgjedhjesh, si dhuratë për ditëlindjen Berishës më 15 Tetor.
Presidenti i drejtohet kreut të qeverisë duke i thënë se e pranon se ka një dobësi për ‘Doktorin’, ndërsa shprehet:
“Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor.
Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.
Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta. Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu.”
“Të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!”, përmbyll Meta letrën e tij drejtuar kryeministrit.
Letra e plotë e Metës:
I dashur Edi,
Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë.
Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.
Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë.
Por unë, siç me të drejtë ti ankoheshe, nuk mund ta lija Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohoja shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa.
Data 13 tetor 2019 e dekretuar nga unë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ja ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi.
Po të kujtoj se në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor.
Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.
Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta.
Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu.
Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot.
Natyrisht që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit.
Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!