Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim të papritur për kryebashkiakun e Librazhdit, Kastriot Gurra.
Burime për Fax News bëjnë me dije se Prokuroria ka kërkuar formularin e dekriminalizimit që ka dërguar Gurra në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve para se të merrte detyrën e kryebashkiakut.
Gazetarja e Fax News, Eksiola Shehu raporton se formulari është kërkuar ditën e premte nga KQZ dhe po në të njëjtën ditë ky i fundit ia ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme.
Ende mbetet mister se nga kush është parashtruar kërkesa për verifikim pavarësisht se ka zëra që mund të jetë bërë nga vetë kryebashkiaku socialist, Kastriot Gurra teksa kjo shënon një rast të veçantë pasi Partia Demokratike ka denoncuar disa emra kryebashkiakësh për mashtrim në formularët e dekriminalizimit dhe të shkuarës së tyre të dyshimtë. Pra, dyshohet se ka qenë vetë Gurra që ka kërkuar nga Prokuroria të marrë nën hetim deklarimet e tij.
Nga ana tjetër, PD ka paralajmëruar se do të vijojë denoncimi i emrave të tjerë kryebashkiakësh që sipas saj, kanë të kaluar kriminale apo precedent.
(F.GJ/FAXWEB.AL)