Që nga dita e enjte studentët e fakulteteve kryesore në Tiranë vijojnë ngujimin në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre.
Një pjesë e studenteve kanë mbetur të bllokuar për më shumë se 48 orë në fakultete, pasi dyert kanë qenë të mbyllura.
Ndërkohë në fakultetin e Ekonomikut mbi 200 studentë u janë bashkuar studentëve të tjerë të
cilët vijonin ngujimin në ambientet e brendshme të këtij institucioni.
Ndonëse dera kryesore e fakultetit ishte e mbyllur me dryn, punonjësit e sigurisë dhe policia e shtetit e gjendur para një numri të madh studentësh kanë vendosur të hapin portën dhe të lejojnë studentët të futen brenda.
Po ashtu studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në një deklaratë kanë shprehur mos pajtimin në lidhje me vendimet e dala nga mbledhja e Rektoratit. Sipas tyre po tentohet të shmanget fokusi qëllimi i vërtetë i protestës.
Ato kanë vendosur që të vijojnë rezistencën me bojkot aktiv në mjediset e fakultetit duke shpallur dhe një agendë për ditën e nesërme.
Deklarata e plotë
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, shprehin mospajtim në lidhje me vendimet e dala nga mbledhja e Rektoratit ditën e premte 11/01/2018 që tentojnë të shmangin fokusin nga qëllimi i vërtetë i protestës sonë.
Solidarizohemi po ashtu me studentët e fakulteteve të tjera për vazhdimësinë dhe protestën deri në fitore.
Prandaj të vendosur për vazhdimin e rezistencës me bojkot aktiv në mjediset e fakultetit, po shpallim programin e aktiviteteve të ditës së hënë:
08.00-09.00: Mblidhemi në hollin e fakultetit studentë dhe pedagogë. Ftohen të gjithë të sjellin pankartën e tyre.
09.30: Komunikatë e Fakultetit të Shkencave Sociale për mediat.
10.00-12.00: Ligjërim i doktorantes Gilda Hoxha me studime në Suedi, me temë “Lëvizjet e reja sociale”. Diskutim.
12.00-13.30: Salla 104 do të jetë duke shfaqur filma ose dokumentarë në lidhje me protestat studentore nëpër botë. Ndërsa në sallën 102 do të ketë lojëra dhe muzikë.
14.00-16.30: Për t’u solidarizuar me studentët, ish-studenti i Shkencave Sociale Klisman Kadiu, performon me kitarë melodi shqiptare dhe të huaja.
17.00 – _: Shpalosim krijime letrare ose ese, për të gjithë ata që kanë dëshirë të ndajnë punimet dhe fjalën e tyre për dashurinë, jetën, protesën, mendimin.
Fakulteti i Shkencave Sociale nuk ka qenë kurrë më i bukur sesa këto ditë, teksa të lirë, kemi mundur të kontribuojmë të gjithë me ide për themelimin e një Universiteti më të mirë!
#BASHKOHU me rezistencën studentore!
(M.Q/Faxweb.al)