Teksa të gjithë prisnin që opozita e bashkuar të kishte një reagim të ashpër pas tentativës së Ramës për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, duket se palët do të rikthehen edhe njëherë në tryezën e marrëveshjes në Këshillin Politik.
Pas ftesës së Edi Ramës, që të hënën të presë në takim opozitën, e madje bashkë me ta edhe Ilir Metën ka ardhur dhe reagimi i koalicionit opozitar. Opozita e Bashkuar shpreh gatishmërinë të vazhdojë diskutimin dhe punën në Këshillin Politik për çdo temë dhe çështje që lidhet me zgjedhjet, duke nisur nga sot, por pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime, sa më parë të dakordësisë së 5 Qershorit.
Kështu që me të gjitha gjasat, java e ardhshme, që shënon dhe afatin e fundit për ndryshime Kushtetese, pasi do të jetë seanca e fundit plenare, do të sjellë zhvillime të reja në aspektin politik, e mbase edhe një tavolinë ku të ulen tre faktorët më të rëndësishëm politik dhe institucional.
Derimë tani nuk ka pasur ende një reagim nga ana e presidentit Meta lidhur me këtë ftesë të hapur të Ramës, i cili e quante selinë e kreut të shtetit opozitë presidenciale.
DEKLARATË E KOALICIONIT OPOZITAR: Opozita e Bashkuar rikonfirmon se i qëndron marrëveshjes së 5 Qershorit dhe apelit të përsëritur të partnerëve strategjikë për miratimin e saj sa më parë në Kuvend, pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme. Ndryshimet kushtetuese, të hartuara në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste, jashtë Këshillit Politik dhe pas Dakordësisë së 5 Qershorit, prishin marrëveshjen e arritur mes palëve.
Këto ndryshime kushtetuese të njënashme bien ndesh edhe me traditën 30 vjeçare të miratimit të rregullave elektorale, që janë bërë gjithmonë me gjithëpërfshirje dhe konsensus, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve tek zgjedhjet dhe forcimin e demokracisë pluraliste.
Miratimi i Reformës Zgjedhore, gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, është edhe kërkesë e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave. Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet seriozisht dhe në mirëbesim e angazhuar në përmbushjen e këtij objektivi madhor për vendin dhe ka dhënë kontribut real në përmbushjen e këtij kushti. Kjo arritje e përbashkët nuk duhet të zhbëhet nga interesat e ngushta politike. Marrëveshja politike e 14 Janarit dhe Dakordësia e 5 Qershorit të arritura me ndihmën e partnerëve strategjikë SHBA dhe BE duhen respektuar plotësisht dhe pa ndryshime nga të gjitha palët.
Sipas këtyre marrëveshjeve, çështjet e dakordësuara në 5 Qershor duhet të aprovohen pa asnjë ndryshim dhe pa vonesa të mëtejshme për të mundësuar zbatimin e dispozitave të reja zgjedhore, duke përfshirë ngritjen e KQZ së re dhe fillimin nga puna për zbatimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve. Për pasojë, çdo diskutim tjetër, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit, si dhe duhet të jetë në përputhje me Rekomandimet dhe praktikat më të mira të OSBE dhe Komisionit të Venecias.
Rikonfirmojmë qëndrimin tonë se nëse Partia Socialiste është vërtetë e interesuar për të diskutuar mbi çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik.
Për vijimin e punës në Këshillin Politik palët kanë dakordësuar edhe në pikën 11 të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Opozita e Bashkuar shpreh gatishmërinë të vazhdojë diskutimin dhe punën në Këshillin Politik për çdo temë dhe çështje që lidhet me zgjedhjet, duke nisur nga sot, por pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime, sa më parë të dakordësisë së 5 Qershorit.
Çfarë deklaroi Rama: PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë,ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!
PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë!
(E.K/Faxweb.al)