Sali Lushaj ka paditur në gjykatë kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Ballën për shpifje.
Babai i reperit Arkimed Lushës, i njohur si Stresi, gjithashtu i kërkon dëmshpërblim moral prej 2 milionë lekësh Ballës.
Padi e Sali Lushës vjen për shkak se Balla e ka cilësuar atë si bandë e Sali Berishës, ndërsa kujtojmë se Lushaj është një nga themeluesit e PD-së dhe njëherësh pjesëmarrës në shumë protesta për demokracinë në vend.
Kujtojmë se deklarata e Ballës ndaj Lushajt, u bë në një prononcim në emisionin “Opinion” pas daljes së përgjimeve për çështjen “Babale”, ku ishte përfshirë edhe Sali Lushaj.
“Nuk ka asnjë akuzë që vjen përveçse nga Lulzim Basha dhe një person nga i cili marr akuza për 13 vite, që ka bërë edhe detyrën e ish-Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Kërkova të ndërhyj në emisionin tënd për të sqaruar opinionin publik. Më vjen keq që dhe ju nuk e keni verifikuar, po dy numrat e telefonit që ju publikuat janë të personave anëtarë të bandës së Sali Berishës. Anëtar i bandës së Sali Berishës quhet Sali Lushaj dhe anëtar i bandës së Sali Berishës, Avdyl Xhomataj. Tani nëse dhe mua më bëni anëtar të bandës së Sali Berishës”, deklaronte Balla.
Ditët e fundit kanë nisur një sërë padish për shpifje nga ana e deputetëve në radhët e mazhorancës, duke iu përgjigjur kështu urdhërit të dhënë nga Rama. Po mesa duket për Ballën vjen dhe kjo kundra padi si baraspeshim.
(E.K/FAXWEB.AL)